Lojërat Olimpike/ Fotot që dogjën notaren paraguaiane
Dritare.net
Lajmi për largimin e notares paraguaiane Luana Alonso nga fshati olimpik për sjellje të papërshtatshme shkaktoi shumë diskutime.
Ndonëse zyrtarët e misionit paraguaian nuk dhanë më shumë detaje për vendimin e tyre, duke u mjaftuar me faktin se prania e 20-vjeçares Alonso ndikon negativisht te bashkatdhetarët e saj, ajo që duket se e ka “djegur” ishin pikërisht ato postimet në rrjetet sociale pas përfundimit të pranisë së saj në Lojërat Olimpike në Paris, pasi në ditën e parë të lojërave ajo kishte dalë e 6-ta në 100 metra dhe nuk kishte arritur të kualifikohej në gjysmëfinale.
Sipas Daily Mail, një nga gjërat që i mërziti ishte se Alonso zgjodhi të vishte rrobat e saj, në vend të atyre të delegacionit të Paraguajit. Ajo kishte postuar edhe foto në rrjetet sociale nga shëtitja e saj në Paris dhe vizitat e saj në butik dhe restorante.
Sipas të njëjtave informacione, Alonso ka qëndruar në Hotel Pastel pranë Harkut të Triumfit, ndërsa ka vizituar dyqanin Yves Saint Laurent në Champs Elysee, si dhe selinë e Louis Vuitton.
Pas bujës, Alonso reagoi me një postim në Instagram në orët e para të ditës së sotme, ku shkruante:
“Dëshiroj ta bëj të qartë se nuk jam pushuar nga puna, as nuk jam dëbuar nga askund, ju lutem mos përhapni informacione të rreme. Nuk dua të them asgjë më shumë, por nuk do të lejoj që gënjeshtrat të ndikojnë tek unë."
Një javë më parë ajo njoftoi tërheqjen nga noti me një postim në rrjetet sociale.
“Tani është zyrtare! Po tërhiqem nga noti, faleminderit shumë të gjithëve për mbështetjen! Më fal Paraguaj!” ka shkruar ndër të tjera në Instagram./K.C/dritare.net