Letër psikologes/ Si ta bind vajzën të mos flejë më me mua dhe bashkëshortin?
Dritare.net
Përshëndetje Dritare.net!
Ju uroj suksese dhe dua t’i drejtohem psikologes Enertila Bekteshi.
Unë jam një nënë e re e cila kam nevojë të di sesi mund ta largoj nga shtrati im vajzën 5-vjeçare. Kam provuar disa herë, por nuk po e kuptoj përse vajza nuk shkon për të fjetur në shtratin e saj? Si t’ia bëj? Suksese dhe faleminderit!
Psikologia përgjigjet:
Vendosja e një foshnje për të fjetur në dhomën e gjumit të tij nuk është aspak e lehtë. Kjo situatë, veçanërisht për një prind të ri mund të kthehet në një sfidë të vërtetë. Nëse fëmija juaj është mësuar të flejë në një krevat dopio, do të jetë edhe më e vështirë!
Fjetja me prindërit, është ëndrra e çdo fëmije. Në këtë mënyrë, ai ka mundësinë të qëndrojë pranë prindërve të tij, duke eleminuar kështu ankthin e ndarjes në momentin më delikatë, atë të rënies në gjumë. Fëmija në krevat dopio ndjehet i mbrojtur dhe i sigurt. Gjumi me fëmijët tuaj ju pengon të mbani intimitetin me partnerin tuaj. Përgatitni fëmijën dhe veten tuaj për ndryshim me një qëndrim pozitiv, duke qenë të vetëdijshëm se ky ndryshim do të jetë i dobishëm për të gjithë familjen.
Bëhuni të vetëdijshëm për rëndësinë e ritualeve në gjumë dhe si ta mësoni fëmijën tuaj të qetësohet kur ndjehet i shqetësuar ose i mërzitur. Në këtë mënyrë, do të jetë më e lehtë për të menaxhuar dhe ankthin e ndarjes që shpesh bëjnë që prindërit të heqin dorë dhe t'i bëjnë fëmijët të flenë me ta. Gjithmonë përpiquni të mbani një dialog të mirë me të voglin.
Do të ishte mirë që të provonit:
T’i bëni një banjë të ngrohtë fëmijës në mënyrë që të ndihet i relaksuar.
Lexojini një libër të mirë dhe nëse përdorni një ritëm leximi të ngjashëm me një përgjumje, do të jeni në gjendje që në një kohë të shkurtër, ta bëni atë të flejë në gjumë.
Ju mund t'i jepni atij një lodër , ose ta ndihmoni atë të mendojë për diçka qesharake dhe të këndshme./dritare.net
Enertila Bekteshi, Psikologe Klinike
Nëse doni të ndani pyetje, këshilla apo dhe rrëfime, ju lutem shkruani në: [email protected]