Dy palë patina të pluhurosura, kafka e një dashi, disa metra litar të kuq të ndritshëm. Këto nuk janë llojet e sendeve që mund t'i gjeni në shtëpitë më të mëdha të modës në Evropë, apo diku tjetër. Por, për stilistin dhe artistin e pazakontë kinez Wan Yunfeng, ato janë perfekte.
Nga apartamenti i tij i vogël në Pekin, Wan bën modë që vesh vetëm ai. Ai mbledh sende të përdorura, shtretër, çanta, sirtarë plastikë, dhe i çon të gjitha në shtëpi, për të bërë me to veshje.
Fustanet e tij karakteristike janë të krijuara nga sendet e hedhura, të mbështjella dhe përdredhura rreth trupit të tij dhe fotografohen për të dërguar një mesazh në lidhje me fuqinë shkatërruese të konsumit njerëzor.
Në setin e fundit fotografik, "Mbrojtja e Oqeanit", veshjet e tregojnë Wan të ngatërruar në rrjeta e mbeturina plastike, dhe shfaqin shprehjet e torturës në fytyrë, të dizajnuara për të pasqyruar dhimbjen e kafshëve oqeanike të zëna në grackë.
Wan ka marrë shumë kritika për këtë lloj arti. Por thotë se, nëse do të ndikojë qoftë edhe një njeri të vetëm në botë, do të vazhdojë ta bëjë.
"Nëse edhe vetëm një person është i ndikuar nga unë, unë do ta bëj. Kritika është OK, ekzagjerimi është gjithashtu OK. Unë thjesht duhet të mbroj mjedisin tonë. Besoj se të gjithë duhet të punojnë për të mbrojtur mjedisin tonë, ju nuk mendoni kështu?", thotë ai./K.C/dritare.net