Java nis me mot të nxehtë. Ja si do të ndryshojnë temperaturat në ditët në vazhdim!
Dritare.net
Fundjava që lam pas u shoqërua me mot të nxehtë, duke bërë që njerëzit të shkonin drejt plazhit. Moti i nxehtë do të jetë prezent në vend edhe sot e nesër, ndërsa të mërkurën pritet që situata të ndryshojë. Në një lidhje direkte me Dritare Tv, sinoptikani Hakil Osmani na tregoi më tepër se si do të jetë moti në vazhdim.
"Kjo javë ka nisur me kthjellime në Ultësirën Perëndimore, ndërsa vranësirat do të shfaqen nga mesi i javës, duke krijuar edhe reshje shiu kryesisht në zonat malore. Vranësirat dhe kthjellimet do të jenë prezente gjatë gjithë javës.
Fundjava do të vijë e ngrohtë dhe e kthjellët në zonat bregdetare, kurse zonat malore do jenë nën ndikimin e vranësirave, të cilat mund të vazhdojnë edhe me reshje shiu. Temperaturat do të arrijnë edhe në 33 gradë celcius por, do të zbresin në vazhdim gjatë fundjavës duke arritur temperatura normale të stinës. Ditët e fundit të muajit maj do të jenë me mot të qëndrueshëm dhe temperatura tipike pranverore.",- u shpreh sinoptikani Osmani./dritare.net