Kreditë agro, një epokë e re e financimit për fermerët e vegjël dhe të mesëm
Dritare.net

Sektori bujqësor në Shqipëri ka vuajtur historikisht nga mungesa e financimit, e shkaktuar shpesh nga informaliteti i lartë, mungesa e kolateralit të vlefshëm dhe perceptimi i rreziqeve të larta natyrore nga ana e institucioneve financiare. Megjithatë, një ndryshim po ndodh në paradigmën e kreditimit, duke u dhënë mundësi të reja fermerëve të vegjël dhe të mesëm. Drejtoresha e biznesit SME në Raiffeisen Bank, Elira Abeshi, tha se qasja e bankave ndaj sektorit të bujqësisë ka ndryshuar rrënjësisht.

Institucionet financiare nuk presin më vetëm korporatat e mëdha dhe të konsoliduara me bilance perfekte për të dhënë kredi, por kanë hartuar strategji specifike dhe produkte të dedikuara posaçërisht për sfidat me të cilat përballet fermeri mesatar shqiptar. Këto produkte të reja financiare janë modeluar duke marrë parasysh madhësinë e fermës, sasinë e tokës në dispozicion dhe numrin e krerëve të bagëtive.

Për shembull, banka ofron kredi të pasiguruara pa kolateral në shuma që variojnë nga 2 deri në 4 milionë lekë për t'iu përgjigjur nevojave të menjëhershme të kapitalit qarkullues, siç janë blerja e farërave, mjekimeve veterinare, ose rinovimi i plastmasit për serat. Kjo shmangie nga kërkesat tradicionale për kolateral pasurish të paluajtshme po zhbllokon potencialin e qindra fermave familjare të cilat kishin ngelur të bllokuara në një rreth vicioz pamundësie për t'u modernizuar.

Gjithashtu, një inovacion tjetër i rëndësishëm në këtë proces është harmonizimi i skedulës së pagesave të kësteve të kredisë me sezonalitetin e të ardhurave të fermerit, duke kuptuar që paratë në bujqësi nuk qarkullojnë domosdoshmërisht me bazë mujore, por në varësi të korrjeve dhe cikleve biologjike. Si rezultat i kësaj qasjeje agresive dhe mbështetëse, formalizimi në bujqësi po rritet me hapa galopantë.

Mbi 12,000 klientë të rinj fermerë kanë hapur llogari bankare dhe kanë nisur një marrëdhënie institucionale financiare gjatë dy viteve të fundit. Kjo epokë e re tregon një maturim të ekonomisë, ku bankat po luajnë një rol proaktiv jo thjesht si huadhënës, por si partnerë strategjikë në zhvillimin e kapaciteteve kombëtare të prodhimit të ushqimit./L.F-dritare.net