Fitoi betejën me kovidin, ministrja Kushi: Jua them nga eksperienca, është virus i rrezikshëm!
Dritare.net
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi ka fituar betejën me COVID-19 dhe është rikuperuar plotësisht. Këtë e tregoi përmes një postimi në rrjetet sociale ku shfaqet duke ecur në Parkun "Rinia" në Elbasan.
"Një shëtitje në Parkun 'Rinia' Elbasan, pas rikuperimit të plotë nga beteja me COVID-19 dhe përpara rikthimit në një javë intensive pune dhe angazhimesh aktive, e lehtësuar dhe me dëshirën e madhe për të shërbyer me përgjegjësi dhe përkushtim", shkruan ministrja. Ndërkohë, ajo thekson rrezikun e virusit të pabesë dhe apelon për shumë vigjilencë nga të gjithë:
"Ndjesë që isha larg zyrës më gjatë nga sa e kisha menduar, por për të gjithë ata që ende nuk e besojnë sa i rrezikshëm është ky virus, jua them nga përvoja ime personale dhe e familjes sime. Kujdes dhe sa më shumë vigjilencë në respektimin e të gjitha masave parandaluese, për shëndetin tuaj dhe të familjarëve të dashur!" – shkruan ministrja Kushi./L.F-dritare.net