Foto/ Nesër mbahet protesta e Berishës. Kryeministria merr masat, blindon hyrjen!
Dritare.net
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe grupi i Foltores do të mbajnë nesër përpara Kryeministrisë protestën e thirrur prej disa ditësh tashmë.
Protesta kundër qeverisjes së kryeministrit Edi Rama do të zhvillohet para Kryeministrisë në orën 19:00. Selia blu ka kërkuar leje në Policinë e Tiranës për protestën e nesërme nga ora 19:00 deri në 21:00, dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugën “Xhorxh Bush” dhe pjesërisht në bulevardin “Zhan Dark” do të kufizohet qarkullimi rrugor për automjetet prej orës 16:00.
Përveç masave të marra nga policia për mbarëvajtjen e rendit dhe nga PD për ecurinë e protestës, edhe Kryeministria ka marrë masat e saj duke blinduar dyert e godinës, ashtu siç edhe është bërë zakon në tubimet e mëparshme të opozitës.
Edhe pse ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se protesta do jetë paqësore, duket se po merren masat në rast të një përshkallëzimi të situatës. Për këtë arsye gjatë paradites është zhvendosur edhe instilacioni “Kërpudha”, që u rindërtua pas dëmtimeve që mori dikur në një nga protestat opozitare.
Ndërkohë, gjatë orarit të protestës, kryeministri Edi Rama mund të mos jetë në kryeqytet, pasi ka lajmëruar më parë që data 7 korrik do e gjejnë në inagurimin e By Pass-it të Vlorës./M.K/dritare.net