
Historia e veçantë e Eldës: Bashkëshorti më propozoi dy javë pasi u njohëm. Ai ngulmoi të ktheheshim në Shqipëri!
Dritare.net
Në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare TV ishte e ftuar një nga ato shqiptaret që përqafon shprehjen “balta më e ëmbël se mjalta. Zonja Elda Rika rrëfeu në Dritare TV jetën e saj dhe si la Shqipërinë për Beverly Hills e si u rikthye sërish në shtëpi, në Shqipëri.
U kthye, por jo vetëm. Erdhi e shoqëruar nga bashkëshorti amerikano-kinez dhe dy vajzat, Eva dhe Vera. Lanë Beverli Hills për Ali Demin! Ajo na tregoi dhe historinë e veçantë të njohjes me bashkëshortin.
"Vitet kaluan dhe rastësisht, kur isha e ftuar për darkë në shtëpinë e një miku aty pranë, takohem me një djalë, i cili njësoj si unë kishte ardhur për vizitë tek miku i tij. Kur më pyeti se nga vija dhe i thashë Shqipëria më pyeti se ku binte ky vend. Kjo pyetje më revoltonte shumë sa herë që më bëhej dhe më vinte habi që nuk ishin mirë në gjeografi. Davidi kishte ardhur për një konferencë në fakt dhe do rrinte për dy javë në Los Angelos. Më ftoi për kafe dhe ajo kafe solli dhe kafe të tjera dhe pas dy javësh, teksa bënim një shëtitje në Santa Monica më tha se tashmë i duhet të kthehej në Filadelfia. Më tha: “ Doja të të bëja një pyetje sepse nesër unë largohem. A do martohesh me mua?” Dhe unë e humba totalisht nga emocionet, nuke prisja, i thashë po. Pastaj pyesja veten si e bëra unë këtë gjë. Çfarë ndodhi kështu me mua.
Davidi u kthye dhe pas tre muajsh jemi martuar. Ai erdhi në Los Angelos, sepse unë e kisha shumë problem të lëvizja në një vend tjetër brenda Amerikës, dhe i jam shumë mirënjohëse që e bëri këtë gjë. La gjithçka që kishte atje, kishte dhe familjen, dhe erdhi aty, për mua. Prindërit e tij vinin nga Tajvani, i ati kishte ardhur për një doktoraturë në Amerikë dhe kishte sjellë gjithë familjen e tij.
Dhe nuk më ndoqi vetëm në Los Angelos, por edhe Shqipëri. Mua më tmerronte ideja e kthimit, por Dejvid më inkurajoi. Më tha ta provonim të jetonim në Shqipëri për një kohë të shkurtër. Ndërkohë në Los Angelos ishim të dy në punë, kisha sjellë në jetë dhe dy vajzat madje. Evën dhe Verën. Doja emra që të tingëllonin bukur në shqip, këtu, por edhe atje."u shpreh ajo në Dritare TV/M.K/dritare.net

















