Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Krimi shtetëror i 21 janarit! Sali Berisha nuk paraqitet në SPAK!

Krimi shtetëror i 21 janarit! Sali Berisha nuk paraqitet në SPAK!

Ish-kryeministri Sali Berisha nuk u paraqit në SPAK për të dhënë llogari për krimin shtetëror të 21 janarit. Prokuroria e Posaçme i kishte dërguar për herë të fletëthirrje, duke i kërkuar që të paraqitej në SPAK sot në orën 10:00, ku pritej të merrej në pyetje nga prokurori i çështjes Alfred Shehu si person që ka dijeni mbi vrasjen e 4 protestuesve në bulevard, të cilët u qëlluan me plumba nga godina e Kryeministrisë kur Berisha ishte në pushtet.


Fletëthirrja ishte dërguar në tre adresa, në banesën e tij në rrugën “Mustafa Matohiti”, në Kuvend si edhe në selinë e Partisë Demokratike. Kjo ishte thirrja e dytë e firmosur nga SPAK për ish-kryeministrin, pasi e para, e lëshuar më 3 nëntor, ishte kthyer mbrapsht pa u hapur. Për këtë arsye, SPAK lëshoi një fletëthirrje të re me datë 7 nëntor, këtë herë në të gjitha adresat zyrtare të Berishës.

Por, sërish Berisha injoroi thirrjet e SPAK dhe nuk u paraqit. Kjo do të ishte përballja e parë e Berishës me SPAK, pasi ai nuk është pyetur asnjëherë më parë për krimin shtetëror të 21 janarit. Që nuk do të shkonte në SPAK, Berisha e kishte paralajmëruar që një ditë më parë, kur deklaroi se do të paraqitet vetëm kur të marrë në dorë fletëthirrjen. Berisha sulmoi prokurorët duke i quajtur shërbëtorë që po e përdorin çështjen për të mbuluar skandalet e qeverisë.

Thirrja e Berishës vjen disa ditë pasi SPAK mori në pyetje Lulzim Bashën, në atë kohë ish ministër i Brendshëm. Më 30 tetor, Basha u mor në pyetje për rreth një orë, por në dalje nga Prokuroria e Posaçme ai nuk dha asnjë detaj, duke deklaruar se çështja është në hetim dhe se respekton sekretin hetimor.


SPAK po heton ngjarjen që sistemi i vjetër e drejtësisë e gjykoi si “vrasje nga pakujdesia”. Insistimi i familjarëve të Aleks Nikës, viktima e vetme pa autor, bëri që dosja të rikthehej në vëmendje. Më 12 mars 2024, Gjykata e Lartë, pas vendimit të Strasburgut, urdhëroi SPAK-un të hetojë 21 Janarin si krim shtetëror dhe të zbardhë përgjegjësitë e drejtuesve të lartë, përfshirë Berishën, Bashën dhe Ndrea Prendin, për vrasjen e katër protestuesve Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika. Fillimisht, Prokuroria e Tiranës çoi në gjyq vetëm ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, dhe ish-efektivin Agim Llupo, të dënuar respektivisht me 1 dhe 3 vite burg, të cilët prej kohësh janë të lirë. Më korrik 2024, SPAK regjistroi procedimin penal për tre akuza: “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim, “shpërdorim detyre” dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”, të gjitha të kryera në bashkëpunim.