Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Lapaj i zgjat dorën Shabanit: Koalicioni përballë një prove të vështirë

Lapaj i zgjat dorën Shabanit: Koalicioni përballë një prove


Adriatik Lapaj duket se ka nisur një përpjekje për të ulur tonet dhe për të ç’tensionuar marrëdhënien me Endri Shabanin, me të cilin kandidoi në zgjedhjet parlamentare të 11 majit si pjesë e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”. Megjithëse fushata u zhvillua nën premisën e një bashkëpunimi të sinqertë për të sjellë një frymë të re politike, rezultati përfundimtar solli vetëm një mandat të fituar në Tiranë dhe pas zgjedhjeve, raportet mes dy figurave kryesore të koalicionit nisën të përkeqësohen ndjeshëm.

Tensionet mes Lapajt dhe Shabanit shpërthyen publikisht pas një përplasjeje që në pamje të parë lidhet me përfshirjen e dajës së Shabanit, Zeqir Kordhoni, i cili i kërkoi KQZ-së të pranojë revokimin e dorëheqjes së tij nga lista e kandidatëve të koalicionit. Por përtej këtij rasti, Lapaj e akuzoi drejtpërdrejt Shabanin për sjellje të pabesë dhe hileqare, duke përdorur rrjetet sociale për të shprehur zhgënjimin e tij ndaj një bashkëpunëtori me të cilin ndau jo vetëm një projekt politik, por edhe një pritshmëri të lartë nga votuesit.

Në përpjekje për ta zbutur këtë përçarje, Lapaj ka dalë sot me një reagim publik, duke bërë thirrje për reflektim dhe për rikthim te marrëveshja politike mbi të cilën u ndërtua koalicioni. Ai i kërkon Shabanit dhe anëtarëve të tjerë të “Nisma Shqipëria Bëhet” që të qëndrojnë besnikë ndaj asaj që u premtuan qytetarëve, një politikë e ndershme, larg kalkulimeve personale dhe interesave të ngushta.

"Në këtë histori, të dhunuarit e vetëm janë 64.000 qytetarët që na votëbesuan dhe qindra aktivistët tanë që dhanë gjithçka në këtë betejë. Ndiejmë keqardhje të sinqertë për situatën e krijuar në lidhje me çështjen e mandatit dhe ju sigurojmë se nuk po i shmangemi përgjegjësisë sonë, por po bëjmë çdo përpjekje të ndershme për të mos ju zhgënjyer dhe për të ruajtur besimin që na keni dhënë.

Sepse për ne, gara e ndershme dhe meritokracia janë dy shtyllat mbi të cilat u ngrit “Shqipëria Bëhet”. Ishin të vetmet armë që kishim përballë një sistemi të kalbur. Ishin këto dy parime që frymëzuan 64.000 qytetarë të na mbështesin pa interes.

Ndaj po goditen sot, me shënjestër të saktë, si nga snajperistët e zakonshëm të sistemit, ashtu edhe nga ata që u shërbejnë si zëdhënës.

Nëse gabimi ynë është dorështrirja për bashkëpunim, mund të na gjykoni! Ne po kërkojmë thjesht që marrëveshja parazgjedhore të realizohet ashtu siç u dolëm qytetarëve në fushatë. Është pikërisht ajo pika që dëshmon qasjen tonë për garën.

Theksojmë se ne nuk do të heqim dorë nga besimi që gara e ndershme është rruga e vetme për të rikthyer besimin në demokraci. Përtej çdo shantazhi e hileje, brenda e jashtë sistemit, ne do të qëndrojmë.

Jemi në pritje të reflektimit dhe uljes për zgjidhje nga pala tjetër në Koalicion. Ne e konsiderojmë këtë një moment që duhet tejkaluar si detyrë ndaj zgjedhësve tanë. Jemi në pritje të Z.Shabani dhe Z.Soko për ta adresuar me maturi e të vazhdojmë punën për zgjedhjet vendore.

Sepse rrugën e nisur, nuk do ta lëmë në mes”,- thuhet në reagimin e “Shqipëria Bëhet”.", shkruan Lapaj./K.C/dritare.net