
Lirimi i hapësirave publike/ Paralajmërimi i Ramës: Ata që rezistojnë do paguajnë gjoba të rënda
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur lirimin e hapësirave publike, duke e cilësuar si një çlirim të madh jo vetëm për komunitetin dhe këmbësorët, por edhe për pronarët e lokaleve që shijojnë tani mundësinë të ulen jashtë tavolinave e të marrin frymë lirisht, pa barrierat e xhamave apo pengesat e tjera fizike. Sipas Ramës, kjo do të ndikojë pozitivisht edhe në rritjen e cilësisë së shërbimit në këto ambiente.
Megjithatë, kryeministri paralajmëron se ka ende disa ndërtesa që nuk kanë pranuar të respektojnë rregullat dhe kërkesat për largimin vullnetar nga hapësirat publike, duke u quajtur “ngrehina që rezistojnë kot”. Ai thekson se në fund, të gjitha këto do të hiqen, ndërsa pronarët e tyre do të përballen edhe me gjoba të larta për ndërtimin pa leje dhe shkeljet e bëra.
"Çlirim i madh jo vetëm për komunitetin e për këmbësorët, po edhe për ata që ulen nëpër tavolinat jashtë dhe marrin frymë lirisht, jo mbrapa xhamave, barrikadave e ferrave, çka e rrit patjetër edhe cilësinë e shërbimit. Ndërkohë ka ende ngrehina që i rezistojnë më kot kërkesës për t’u shkulur vetë nga mexhelisi, se në fund të tëra do ikin po do ikin bashkë me një gjobë të kripur për ndërtuesin e pamirëkuptuar.", shkruan Rama./K.C/dritare.net

















