Nga Rudina Xhunga
Po vjen Viti i Ri dhe Pitilushja nis që në nëntor të flasë me padurim për pemën.
- Babi pemën, babi pemën!
Babi i thotë që pema duhet vënë në dhjetor, po Pitilushja e bind që ky vit është i veçantë dhe pema duhet vënë më herët.
Më në fund, Pitilushja dhe babi bien në një mendje dhe në shtëpi nis puna. Hapet pema, hapen zbukurimet e vitit të kaluar dhe shtëpia mbushet plot me dëborë, topa, qese dhe babagjysha.
- Ah, ky Babagjyshi! Unë nuk i kam bërë gati as letrën, - thotë Pitilushja, ndërsa ulet dhe rreshton në një letër kërkesat.
- Ma, sa kërkesa mund të bëj?
- Sa të duash, - i përgjigjet mami.
- Sa kërkesa ke ti, Pitilushe? - e pyet babi.
- Kam shumë, po nuk e di se sa mund të më plotësojë Babagjyshi.
- Mendoj se dy, pasi ka shumë fëmijë në botë dhe Babagjyshi duhet të përgatitet për të gjithë, -ia pret mami.Pitilushja ulet dhe shkruan. Në fund, pasi e ka shkruar dhe prishur disa herë letrën, e pyet babin:
- Ba, ti do ta çosh te Babagjyshi, apo ta lë te pema se ai e merr vetë?
- Do ta çoj unë, Pitilushe, - i thotë babi dhe e merr letrën e fut në xhep.
Babi nuk i hap kurrë letrat e Pitilushes, po mami që është shumë kureshtare e merr dhe e lexon fshehurazi.
I dashur, Babagjyshë!
- Pupupu, moj Pitilushe, që nuk po e mëson këtë “ë”-në, që nuk po e mëson! - ia bën mami me vete.
Unë për Krishtlindje do të doja një mace të vërtetë, por nëse nuk mund të ma sjellësh, do të doja një makinë me telekomandë.
Mami qesh me vete dhe e lë te xhepi i babit zarfin e Pitilushes për Babagjyshin. Pitilushja vazhdon të stolisë pemën dhe, për një hop, ndalon dhe e pyet babin:
- Po ti, ba, ku do ta gjesh Babagjyshin që t’ia çosh zarfin?
- Në shtëpi, - i përgjigjet ai.
- Ku e ka shtëpinë Babagjyshi?
- Ca gjëra i dinë të rriturit, Pitilushe. Ti rri e prit, nëse do të vijnë
dhuratat e Babagjyshit.
- Ti je Babagjyshi, ba?
- Unë jam babi.
- Po, a ka vërtet Babagjysh, ba?
- A do ti të ketë, Pitilushe? Nëse ti do dhe beson,
atëherë ka.
- Jo, ba, nuk besoj aq shumë. Po nëse e takon Babagjyshin, dua ta takoj dhe ta shoh edhe unë.
- Pitilushe, më pëlqen që ti beson në gjërat që sheh. Dhe nuk i ke ngjarë mamit, e cila
beson gjërat që ëndërron.
Qesh babi dhe pastaj qeshin të tre.
Marrë nga libri Tregimet e Pitilushes, me autore Alana Hila dhe Rudina Xhunga!