Për 20 vjet, çmimet e banesave në Tiranë janë 10-fishuar. Ja zonat më të kërkuara!
Dritare.net
Albana Shoshi nga agjencia imobiliare Rexhina e ftuar në Lajmet Dritare tha se çmimet e shtëpive në kryeqytet janë 10-fishuar në 20 vjetët e fundit.
“Ne si agjenci kemi gati 20 vite që operojmë në tregun imobiliar në Tiranë dhe duke patur parasysh këtë mund të themi që çmimet janë 10-fishuar dhe kjo thuhet me rezerva sepse mund të jetë edhe më shumë. Mendoj se çmimet janë rritur shumë edhe për shkak të shpenzimeve që kanë ndërtuesit, të lejes së ndërtimit që tani është rritur edhe taksa që paguajnë në bashki, për shkak edhe të materialeve të para ndërtuese dhe për shkak të mbingopjes së tregut. Ne kemi nevojë për blerje në zonat qendrore më shumë, çmimet janë rritur shumë në këto zona. Mund të themi rritje ka patur në zona si Unaza e Vogël, Liqeni. Edhe periferia ka pësuar rritje krahasuar me çmimet që kanë qenë por jo aq dukshëm sa në zonat qendrore të cilat kanë qenë 800 dollarë për metër katror në 2500 dollar për metër katror, që është një rritje e konsiderueshme”.
Shoshi tha gjithashtu se edhe çmimet e qirave janë rritur së tepërmi vitet e fundit.
“Këtë vit është rritur shumë trendi i qirave dhe sidomos i banesave të vogla. Ka ndikuar ngërçi që patën në periudhën e pandemisë ndërsa hapja e universiteteve ka ndikuar në rritjen e çmimeve të banesave të vogla. Nëse deri para një viti një banesë 1+1 në zonat qendrore e gjenim me një çmim deri në 250 euro këtë vit nuk mund ta gjejmë nën 400-500 euro”.
Zonat më të kërkuara mbeten ato afër qendrës.
“Zonat më të kërkuara janë Blloku, Liqeni, Qendra, Rruga e Barrikadave, rrugicat që lidhin Myslym Shyrin me rrugën e Kavajë edhe pjesa e Liqenit të Thatë. Në këto zona nuk mund të bëhen më ndërtime të reja, pra çfarë është ndërtuar është ndërtuar dhe tani ka shumë pak ndërtime të reja në këto zona. Pra kërkesa në këto zona është e lartë por kemi mungesë të apartamenteve dhe dyqaneve dhe kjo çon automatikisht edhe në rritje të çmimit në këto zona.
Për familjet mesatare dhe ato të ulëta periferia mbetet një zgjidhje ideale, pasi kanë një buxhet të caktuar dhe zonat e qendrës shpesh bëhen të paarritshme për këto familje. Mund të themi që ndërtimet në zonat periferike po bëhen me një cilësi shumë të mirë të ndërtimit dhe ka ndërtime.
Edhe mundësia për familjet që janë tashmë të punësuar për të blerë një shtëpi qoftë edhe me kredi janë lehtësuar pasi nëse flasim 15-20 vite më parë normat e interesit kanë qenë 8-9% ndërsa tani flasim për norma interesi 3-4.5%. Por jo vetëm në zonat qendrore kemi çmime të larta pasi ka edhe zona periferike që kanë çmime të larta gjithashtu si zona pas Tegut. Unë mendoj se njerëzit janë ndërgjegjësuar për një jetë të mirë. Kërkesat kryesore që kanë klientët përveç planimetrisë që duhet të jetë e rregullt është edhe pozicioni gjeografik. Pozicioni më i kërkuar është juglindje pasi duan pozicionin e diellit por ne si zyrë përpiqemi tju shpjegojmë gjithmonë klientëve se me ndërtimet e reja kryesisht nuk e kuptojnë shumë ndryshimin e kushteve atmosferike. Por gjithsesi mentaliteti është ende i theksuar dhe pozicioni gjeografik është një kërkesë që e kanë shpesh dhe më kryesorja , por edhe planimetria është e rëndësishme. Por në bazë të buxhetit jo gjithmonë mund të përputhen të gjitha kushtet që njerëzit kërkojnë. Njerëzit duhet të bëjnë një pakt se nëse kanë një buxhet të përcaktuar disa nga kërkesat do të sakrifikohen nuk mund të plotësohen të gjitha”, tha Shoshi./L.F-dritare.net