Ministrja Kumbaro jep lajmin: Do të hapim liceun franko-shqiptar në Korçë!
Dritare.net

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro ka ndarë sot emocionet e rikthimit përpara ish-studentëve të saj, tashmë mësues të gjuhës frënge në shkollat e vendit, ndërsa Shqipëria përgatitet të hapë një kapitull të ri në ndërkombëtarizimin e arsimit të mesëm. Sipas ministres, marrëveshja mes Shqipërisë dhe Francës po i jep një ritëm të ri rrjetit të shkollave dygjuhëshe shqip-frëngjisht, duke garantuar përditësim të kurrikulës sipas standardeve franceze, njohje ndërkombëtare të gjuhës frënge dhe trajnime të specializuara për mësuesit.
Një nga projektet më ambicioze është hapja e liceut franko-shqiptar të Shkencave dhe Inovacionit në Korçë, që ministrja e përshkruan si një super-shkollë publike ekselente, me diplomë franceze.
"Emocion rikthimi para ish-studentëve të mi, tashmë mësues të frëngjishtes në shkollat shqiptare, e ku bëhemi gati për të nisur sërish një tjetër kapitull të bukur dedikuar ndërkombëtarizimit të gjimnazeve tona përmes sistemeve dygjuhëshe shqip-frëngjisht, si edhe hapjes së Liceut Franko-Shqiptar të Shkencave dhe Inovacionit, që dikur ishte ëndërr për ne, por sot po kthehet në realitet për fëmijët e Shqipërisë 2030.
Me marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Francës, i japim një tjetër ritëm shkollave dygjuhëshe shqip-frëngjisht, duke siguruar përditësim të kurrikulës sipas standardeve franceze, njohje ndërkombëtare të gjuhës frënge për nxënësit që e ndjekin dhe trajnime për mësuesit, ndërsa bëhemi gati për hapjen e Liceut Franko-Shqiptar në Korçë, një super-shkollë publike ekselente, me diplomë franceze dhe maturë shtetërore shqiptare njëkohësisht, mbështetur me një infrastrukturë model që nis nga kampusi, te konvikti, mensa, laboratorët dhe biblioteka.
Së bashku me mësuesit e frëngjishtes nga Tirana, Durrësi, Korça, Elbasani e Shkodra dhe me mbështetjen e Ambasadës së Francës në Shqipëri, kemi nisur punën për përgatitjen e brezit të parë të nxënësve që do të ndjekin këtë lice unik, sepse është privilegj të shohim se si rruga jonë e përbashkët me gjuhën frënge sot bëhet një urë e re për fëmijët tanë", shkruan Kumbaro./dritare.net