Nënat ruse peticion qeverisë kundër luftës në Ukrainë!
Dritare.net
Një grup nënash të ushtarëve rusë iu bashkuan një ekipi aktivistësh për të kërkuar tërheqjen e trupave të Moskës nga Ukraina, duke nisur një peticion në internet të dielën.
Peticioni që drejtohet parlamentarëve në komisionet përkatëse të Dumës së Shtetit dhe Këshillit të Federatës, deri pasdite kishte mbi 1500 nënshkrime dhe numri sa vjen e rritet.
“Prej nëntë muajsh po vazhdon i ashtuquajturi ‘operacion special ushtarak’, i cili sjell shkatërrim, pikëllim, gjak dhe lot”, thuhet në peticion. "Pavarësisht se çfarë kombësie, feje apo statusi shoqëror jemi, ne - nënat e Rusisë – kërkojmë të jetojmë në paqe dhe harmoni, t'i rrisim fëmijët tanë në kushte paqësore”, vijon peticioni.
Apeli përshkruan nënat e rekrutëve dhe ushtarëve të mobilizuar si "të detyruara të trokasin në mënyrë poshtëruese në pragjet e administratave të qytetit", duke u përpjekur të kthejnë burrat e tyre në shtëpi.
“Ne jemi kundër pjesëmarrjes së djemve, vëllezërve, bashkëshortëve, baballarëve tanë në këtë. Detyra juaj është të mbroni të drejtat dhe liritë e nënave dhe fëmijëve, nuk duhet të mbyllni sytë para gjithë kësaj”, thuhet në peticion./M.T/dritare.net