Paga e luftës/ Rama-punëdhënësve: Po ju skadon afati, bëni aplikimet për punonjësit
Dritare.net
Kryeministri i vendit, Edi Rama ka shkruar në Facebook se, e ka kaluar 30 mijëshin numri i punonjësve që kanë marrë pagën e luftës. Ndërsa falënderon punëdhënësit që iu përgjigjën apelit, kryeministri u kujton atyre që ende nuk kanë aplikuar, skadencën e afatit. Ai thotë se, kushdo punëdhënës që nuk bën aplikimin për punonjësin e tij do të paguajë gjobë.
“Lajm i mirë: ka kaluar 30 mijëshin numri i pagave 40 mijë lekë të derdhura në llogaritë e punonjësve që nuk e kishin marrë mbështetjen financiare të qeverisë, si pasojë e mosaplikimit nga ana e punëdhënësve.
Faleminderit punëdhënësve që reaguan pozitivisht ndaj apelit tonë. Sipas llogarive të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve janë edhe afro 25 mijë të tjerë që duhet të paguajmë, prandaj u kujtoj punëdhënësve që s'kanë aplikuar ende se afati për ta skadon të premten, 5 qershor, në mesnatë
Kush nuk do të bëjë aplikimin për punonjësit e vet do të paguajë gjobë, ndërsa të gjithë punonjësit e lënë pa mbështetjen e punëdhënësit, nuk do të jenë vetëm! Sepse ne do t'u derdhim menjëherë 40 mijë lekët në llogarinë e tyre nga e hëna e ardhshme.
Sot ka kaluar në thesar për lëvrim javën e ardhshme, shuma e pagës së tretë të luftës.
Shifra totale e të gjithë të asistuarve me tre pagat e luftës apo pagën 40 mijë lek, parashikojmë të shkojë në afro 250 mijë persona.
*Në fund e gjithë lista e pagesave për këtë thuajse çerek milionë motra e vëllezër, do të jetë publike, që mos kemi llafe kur i thonë fjalës- po edhe që askush, asnjë person i vetëm të mos mbetet pa marrë atë që i takon, nëse për çfarëdo arsye do të mbetet i papërfshirë.”, shkruan Rama./K.C/dritare.net