PS nuk do të propozojë kandidat për Avokat të Popullit, Balla: Do vlerësojmë kandidatët e opozitës
Dritare.net

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se PS nuk do të propozojë asnjë kandidat për pozicionin e Avokatit të Popullit, duke theksuar se partia do të shqyrtojë kandidaturat e paraqitura nga opozita dhe më pas do të vendosë se cilin emër do të mbështesë.
“PS nuk do propozojë asnjë kandidat. Do të vlerësojmë kandidaturat që janë mbështetura me firma nga opozita dhe më pas do të vendosim se cilën do mbështesim. Ligji nuk e ndalon që një deputet të firmosë për më shumë se një kandidat,” tha Balla.
Ai shtoi se vendimi për mbështetjen do të merret pasi të përfundojë afati i paraqitjes së kandidaturave dhe pasi komisioni të verifikojë përmbushjen e kritereve ligjore. Balla theksoi gjithashtu se nuk ka pasur asnjë komunikim me grupin parlamentar të PD-së, por shpreson që kandidatët e propozuar nga opozita të mbështeten edhe në seancën plenare.
“Qasja jonë është më e mira e mundshme. Ne duam të ruajmë traditën parlamentare të konsoliduar. Në 2012, kur ishim në opozitë, propozuam disa kandidatura dhe më pas investuam me firmën për njërin, dhe ajo kandidaturë u votua,” përfundoi kreu i Grupit Parlamentar të PS-së.
Ky vendim vjen në një moment kur Kuvendi duhet të zgjedhë një Avokat Populli dhe opozita ka paraqitur disa kandidatura për këtë post të rëndësishëm./L.F-dritare.net