Rama: Në tetor rinisim procesin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës
Dritare.net
Kryeministri, Edi Rama nga Vlora, tha se në javën e parë të tetorit do të rihapet procesi i ndërtimit të aeroportit të këtij qyteti. Kryeministri u shpreh se, këto ditë të fundit do të presin ofertat ndërkombëtare dhe më pas do të lidhin kontratën. Rama u kthen përgjigje edhe kritikave se përse s’është bërë ende aeroporti. Kreu i qeverisë thotë se procesi për fillimin e punës u ndërpre nga karantina e përgjithshme dhe të gjitha kompanitë e interesuara bënë kërkesa për gjithë llojet e projekteve që të shtyhen.
“Në javën e parë të tetorit procesi do rihapet dhe janë vetëm pak ditë ende që ne të marrim ofertat ndërkombëtare për të lidhur pastaj kontratën për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Padiskutim që ndërkohë që unë flas ka njerëz që bëjnë komentet e tyre e thonë s’është bërë akoma aeroporti, apo ku e ke aeroportin, të gjitha nivelet e ironisë së vlonjatëve apo shqiptarëve në përgjithësi. Janë fjalë që mund ti dëgjosh, por s’kanë lidhje me realitetin, jo se realiteti sot në Vlorë apo Shqipëri është rozë për të gjithë, as se transformimi ynë ka arritur ta bëjë Shqipërinë të dytën pas Gjermanisë, as e kemi thënë e as e kemi çuar në mend, por ne ballafaqohemi dhe me problemin e madh të dezinformimit të sajesave. Fjala e popullit “kur gënjeshtra e ka bërë xhiron e botës e vërteta s’ka veshur akoma pantallonat, rezulton të jetë e vërtetë. Prirja për të besuar sajesat është shumë e madhe sa prirja për të verifikuar faktet. Procesi për fillimin e punës u ndërpre nga karantina e përgjithshme dhe të gjitha kompanitë e interesuara bënë kërkesa për gjithë llojet e projekteve që të shtyhen. Ne procesin e ngrimë aty ku ishte, në javën e parë të tetorit procesi do rihapet dhe janë vetëm pak ditë ende që ne të marrim ofertat ndërkombëtare për të lidhur pastaj kontratën për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.
Doja që kjo të kishte ndodhur më parë, por eksperienca më ka mësuar e ka mësuar këdo që merret me projekte e punë të kësaj natyre, që ka të papritura, vonesa nevoja që shfaqen rrugës e janë të paparashikuara. Patjetër që ka një rrugë të gjatë për të bërë deri kur lidhet një kontratë.”,- tha Rama./K.C/dritare.net