Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama për rastin Balluku: Një risi botërore që cënon balancën e pushteteve

Rama për rastin Balluku: Një risi botërore që cënon

Kryeministri Edi Rama komentoi sot vendimin për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut nga një prokuror dhe një gjykatës i shkallës së parë, duke e cilësuar këtë si një rast jashtëzakonisht të rrallë në botën demokratike.

Në një postim në X, Rama shkruan se, pavarësisht mbështetjes së tij të pakushtëzuar për Reformën dhe Pavarësinë e Drejtësisë, nuk mund të shikojë këtë vendim ndryshe veçse si një “rrëzim të fëmijës që sapo ka mësuar të ecë”.

Ai thekson se ndërsa një fëmijë lëndon vetëm vetveten kur rrëzohet, kur drejtësia rrëshqet, cënon parimet kushtetuese, prish balancën mes pushteteve dhe ndërhyn në procesin qeverisës.

Rama shton se qëllimi i luftës kundër korrupsionit nuk e justifikon përdorimin e mjeteve të gabuar, duke paralajmëruar se përdorimi i këtyre metodave mund të kthehet në një të keqe edhe më të madhe se problemi që synohet të zgjidhet.

"Fjalët e shumta janë fukarallëk, gjeni një rast të dytë në botë ku një prokuror dhe një gjykatës - për më tepër edhe i shkallës së parë fare - pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie! Se të më thoni që kjo qenka kaq normale, paçka se s’është parë kurrë, askund, në botën demokratike, është njësoj si të më thoni se drejtësia qenka normale vetëm në Shqipëri!

E pra, pavarësisht se nga dita 1 kam qenë, jam e do të jem mbështetësi më i paepur i Reformës dhe Pavarësisë së Drejtësisë, këtë risi botërore të drejtësisë sonë të re, unë nuk e quaj dot asgjë tjetër përveçse një nga ato rrëzimet e fëmijës kur sapo ka mësuar të eci. Me ndryshimin që kur fëmija i vërtetë rrëzohet, lëndon vetëm vetveten, ndërsa kur drejtësia rrëshqet kështu si këtë herë, cënon parimet kushtetuese, prish balancën mes pushteteve të pavarura dhe ndërhyn brutalisht në procesin qeverisës. Le të jemi të qartë: Qëllimi i lartë i luftës kundër korrupsionit nuk e justifikon përdorimin e asnjë mjeti të gabuar dhe historia e vendeve që kanë kaluar më parë nga kjo rrugë e domosdoshme, na mëson se justifikimi i mjeteve të gabuara për hir të qëllimit madhor, e kthen kurën me mjete të tilla, në një të keqe edhe më të madhe se sa vetë sëmundja që thuhet se këto mjete po kurojnë. Ky mësim nuk duhet harruar kurrësesi. Nga askush", shkruan Rama./L.F-dritare.net