Rama u përgjigjet gazetarëve të huaj për Zvërnecin: Nuk ka projekt! Arkitektët më të mirë të botës po punojnë për të
Dritare.net

Në konferencën me gazetarët e BE, kryeministri Rama tha se nuk ka projekt për Zvërnecin. Si rrjedhojë, nuk ka një të tillë për t'u anuluar. Më poshtë pyetje përgjigjet mes gazetarëve dhe Ramës!
-Kam një pyetje që ka të bëjë me protestat e kohëve të fundit. Sa mbërritëm këtu dje pamë që kishte shumë gjëra që zhvilloheshin në qytet. Pyetja ime është: këto protesta duket se janë të përqendruara në çështje shumë specifike, zhvillimi bregdetar e kështu me radhë. Sa shqetësuese është si ju, si kreu i qeverisë, si kryeministër që këto protesta mund të bëhen më të gjëra dhe të përfshijnë më shumë çështje dhe mund të bëhen një lëvizje më e madhe A është shqetësim për ju ky?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, pikë së pari ky është një vend i lirë. Unë vetë kam qenë pjesëmarrës në protesta dhe e di mirë, e njoh shijen e momentit kur e ke vështirë të protestosh, di madje edhe shijen e gjakut, kur protesta ndodh në një mjedis jo të lirë.
Në këtë bulevard, jo një shekull më parë, por vetëm më pak se 20 vjet më parë apo më saktë në 2011-ën, katër protestues u vranë me armë sulmuese që i kishin vënë në shënjestër pikërisht nga kjo ndërtesë.
Kështu që për mua është një epokë ndryshe, është një moment ndryshe në histori. Dhe është vërtetë diçka shumë e mirë që njerëzit të mund të protestojnë pa asnjë problem edhe pse mund të duket gjëja më e vogël, por nuk është kështu.
Është një tjetër arritje e kësaj dekade. Një arritje për të cilën shqiptaret kanë luftuar për një kohë të gjatë, jo vetëm gjatë komunizmit, por dhe pas tij. Kështu që kjo është e para.
E dyta, kjo protestë është provokuar nga një akt i shëmtuar dhune nga një rojë sigurie kundër një protestuesi në kufirin e tokës, e vendit për të cilin po flasim qysh prej një jave apo më shumë tashmë, për të cilën apo për të cilin pra për këtë episod morëm masat më të ashpra dhe më të shpejta. Roja është arrestuar. Drejtori i policisë së Vlorës u shkarkua dhe ndërkohë njësia e policisë që ishte aty në terren dhe nuk ndërhyri menjëherë për ta ndalur rojën që të mos ta bënte atë akt të neveritshëm, është vënë në hetim.
Kompanisë së sigurisë i është hequr licenca për të vepruar si kompani sigurie. Këtë e kemi bërë ne. Dhe sigurisht akti i dhunës ndezi ndjenjat, video u bëri u bë virale dhe krijoi apo çeli rrugën për më shumë për ngritjen e pikëpyetjeve mbi zhvillimin vetë, pikëpyetje mbi pronën, pikëpyetje mbi projektin.
Pastaj befas çështja u bë më e gjerë dhe tashmë cek gjithçka që është në rregull, por nuk jemi më në dinamikën e protestës së disa njerëzve apo shumë njerëzve, quheni si të doni edhe pse kam parë raportime për qindra mijëra vetë që janë tejet qesharakë, megjithatë s'ka rëndësi. Nuk dua të flas për numrat edhe pse numrat për mua janë mjaft modeste, por dua të flas për thelbin.
Diçka ndryshoi sepse befas nuk ka projekt. Pra protesta u shndërrua në protestë masive me refrenin “anuloni projektin, anuloni projektin”. I thashë po e anulojmë në këtë moment, por më tregoni projektin. Nuk ka projekt”.
Nuk ka të bëjë me mua. Nuk ka të bëjë me Shqipërinë, ka të bëjë me shoqërinë demokratike për të reflektuar se si gjysmë të vërtetat mund të bëhen gënjeshtra gjithmonë e më të mëdha orë pas ore pas ore dhe mund të ndezin të gjithë mjedisin që nuk është më mjedis brenda ca kufijve, por është një mjedis në mbarë platformat. Ndërkohë që, nuk qëndrojmë më te thelbi, po diku gjetkë, ku thuhen të gjitha gjërat e mundshme, që në fakt janë legjitime për njerëzit që duan t'i thonë apo t'i besojnë, por nuk kanë të bëjnë aspak me mua e me ne.
Nuk e di, në qoftë se ju përgjigja siç duhet pyetjes, por jam i sigurt që të tjerët do duan të pyesin dhe do të përpiqem ta plotësoj.
-Thatë që nuk ka një projekt. Po përse u ngrit ky gardhi rrethues në plazhin për të cilin flasim dhe përse rrjeti ballkanik i investigimit thotë që ka një kompani Zvernec South Development që ka leje për të ndërtuar në këtë zonë, në qoftë se nuk ka projekt.
Kryeministri Edi Rama: Sepse BalkanInsight po gënjen. Shumë e thjeshtë. Nuk ka të bëjë me kush thotë çfarë, por kush provon çfarë, është krejt ndryshe. Unë nuk jam këtu për të thënë gënjeshtra, por as për të dëgjuar gënjeshtra. Në qoftë se dikush thotë që ka një leje ndërtimi, atëherë duhet ta tregojë këtë leje ndërtimi. Përkundrazi, në qoftë se më pyesni dhe në qoftë se jeni të interesuar për faktet, mund t'ju them që ka një proces. Po, ka një kompani. Sigurisht që ka një kompani. Çfarë do të thotë kjo? Në qoftë se ka një kompani, nuk do të thotë që ka një projekt, është një kompani, pra ka një shprehje interesi, ka një proces që ka nisur me autoritetet, është një pronë private për ta bërë shumë të qartë e saj. Sepse është kaq është shqetësuese kur kalon nëpër të gjithë këta zinxhirë, zinxhirë të tërë postimesh pas postimesh dhe sheh gjëra që janë kaq të pasakta dhe që janë kaq neveritëse dhe në qoftë se nuk do të isha në këtë pozicion dhe në qoftë se nuk do të isha plotësisht i vetëdijshëm për faktet, në qoftë se nuk do t’i njihja plotësisht faktet, do të më neveritej të shihja që qeveria ime, apo kryeministri im po shesin një ishull pa më treguar asfare pse dhe çfarë do të ndodhë. Po sigurisht që do të ndihesha i neveritur, po a është e vërtetë?
Kjo është e para.
E dyta, Zvërneci dhe ishulli janë dy projekte të ndryshme. Nuk është i njëjti projekt. Çfarë domethënë që gjithë kohës publikohet, ripostohet në Tëitter apo në rrjete të tjera ishulli, protestuesit, gardhi, kjo e ajo për të krijuar diçka që është tërësisht e neveritshme. Po ta shohësh nga këndvështrimi i dikujt që, jo vetëm është në bulevard, por që është në Austri dhe në Amerikë dhe të projektosh këtë imazh të Shqipërisë, një republikë dreqi bananesh ku ishujt i shiten oligarkëve, kështu më kot dhe ku vendi shitet sepse ka një kryeministër atje që po iu shërben oligarkëve. Çfarë është kjo? Në qoftë se kjo është e vërtetë, është e neveritshme, por a është e vërtetë?
Kjo është pyetja ime. Ju mendoni se keni sjellë fakte këtu që provojnë të kundërtën e asaj që unë po them, por jo, nuk është kështu. Kompania është e krijuar, shprehja e interesit është e pranishme dhe marrëveshja është private. Është mënyra se si zhvillohet çdo vend demokratik. Unë nuk njoh ndonjë vend në sferën demokratike që mund t’i ndalojë privatët të bëjnë marrëveshje midis tyre.
Në qoftë se njihni ndonjë, më thoni. Nuk njoh ndonjë vend ku qeveria apo institucionet janë proaktive dhe shkojnë u thonë privatëve ‘’Mos guxoni të lidhni marrëveshje’’.
E dija, e njihja një vend ku privatët nuk lejoheshin të ishin privatë, ku të huajt ishin të gjithë “armiq” e të gjithë ishin ndikim i keq. E di, e njihja, e luftova kundër dhe falë Zotit fituam.
Është gardh, e dashur. Çdo privat në këtë vend ka të drejtën të kërkojë leje për të vendosur një gardh rrethues në pronën e tij. Çdo pronar privat në këtë vend. Të luftosh kundër gardheve të pronave private? Çfarë do të thotë kjo?
Dhe kur ka një proces të tillë, kur ka një marrje e dhënie me autoritetet për një projekt, kemi protokolle që vërtetojnë pikërisht të kundërtën. Kemi protokolle që vërtetojnë se ky vend funksionon si një vend evropian. Ne kemi protokolle që provojnë me shkrim se investuesve ju janë thënë shumë gjëra për cënueshmërinë e zonës, distanca që duhet të ketë zhvillimi apo ndërtimi nga laguna, për këtë, atë e atë tjetrën, për parametrat, për dendësinë e për të tjera gjëra.
Çfarë mendoni? Çfarë mendoni ju? Kur them çfarë mendoni ju, nuk po ju drejtohem juve personalisht, po them çfarë do të thotë kjo?
Si ta gjesh, si ta gjejë dikush mënyrën që ta bëjë të vërtetën, të shihet e të dëgjohet.
Unë e thashë ditën e parë, e thashë dhe të dytën, pastaj hoqa dorë, sepse e kuptova që s'kishte më të bënte me mjedisin.
Nuk kishte më të bënte me asgjë tjetër, por kishte të bënte me një ndjenjë që është koha jonë që të marrim kontroll. Uroj fat për këtë, por ju thashë që prej ditës së parë se kush është interesuar që të flasim për këtë, është i mirëpritur këtu.
Dhe unë jam këtu për të folur për projektin, për të folur për mjedisin, për të folur për parametrat, për të folur për atë çfarë duam të bëjmë, çfarë kemi bërë deri më tani, për të treguar faktet, letrat, rrugën e ndjekur, për të treguar çdo gjë lidhur me ligjin për mjedisin e gjithçka e lidhur me këtë informacion krejt të pavërtetë që ne ndryshuam ligjin që kjo të ndodhte. Kjo është një gënjeshtër dhe unë jam gati t'ua provoj këtë me fakte. Po si ,si provon faktet në këtë botë?
Dhe përgjigjen, a e dini përgjigjen? Përgjigjja ishte ‘’jo’’. Ne nuk flasim. Ne nuk dëgjojmë. Ti duhet të japësh dorëheqjen.
-Ju thatë që nuk ka të bëjë me mjedisin, por dje intervistova disa njerëz në rrugë.
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, dëgjoni. Jeni këtu me mua duke folur me mua, po më bëni pyetje mua, po kërkoni të dini se çfarë mendoj. Ajo çfarë keni bërë në rrugë nuk është me interes për mua dhe çfarë keni dëgjuar në rrugë është për informacionin tuaj, por po më pyesni mua dhe unë nuk jam në rrugë, unë nuk jam dikush, që nuk mban përgjegjësi kur flet, sepse unë përfaqësoj këtë vend, unë përfaqësoj njerëzit që më kanë zgjedhur të jem këtu dhe përballë, më duhet të jem i vërtetë, duhet të jap fakte, nuk mund të sfidohem me çfarë keni dëgjuar ju në rrugë. Keni fakte për të më treguar që vërtetojnë se po them diçka që nuk është e drejtë? Më tregoni, më sfidoni.
-Jo, do ta bëj shumë shpejt pyetjen time sepse besoj që ka edhe të tjerë. Takova dikë që më tha, "Do të dal në rrugë të protestoj sepse Zvërneci është një prej zonave të fundit të paprekura të bregdetit në deltën e lumit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Mesdhe. Pyetja ime është: pse ju si kryeministër a qeveria juaj doni të ndërtoni atje? Përse nuk doni ta mbani ashtu siç është? Sepse është vërtetë speciale apo jo?
Kryeminsitri Edi Rama: Kjo është një pyetje absolutisht legjitime dhe në fakt, hap absolutisht hapësirë për një diskutim shumë të rëndësishëm, por ajo çfarë është e gabuar është prezumimi që një vendi, i duhet të zgjedhë midis natyrës dhe zhvillimit.
Kjo është ideologji. Kjo nuk është ajo çfarë na thonë praktikat më të mira në këtë botë. Vendit i duhet të gjejë në mënyrë mjaft inteligjente mënyra për t'u siguruar që natyra dhe zhvillimi të bashkëjetojnë dhe të mos i shkojnë përkundër njëra-tjetrës. Sigurisht që gjëra mjaft të pakëndshme kanë ndodhur me natyrën në rrugëtimin e zhvillimit në këtë vend, por ju duhet të kuptoni që shumë prej tyre janë objektivisht të pamundura për t'u fshirë apo për t'u ndarë nga arsyeja pse ka ndodhur.
Vendi doli nga komunizmi si vendi më i varfër në Europë, jo krahasuar me vendin tuaj, por krahasuar madje edhe me ish-vendet komuniste. Ajo doli si vendi më i izoluar. Ne ishim të izoluar si nga perëndimi ashtu dhe nga lindja. Na thuhej që të dyja ishin dy anë të së njëjtës medalje që krijonin të degjeneruar pra, edhe të korruptuar. Për 50 vjet ishim të detyruar të ishim një vend ku nuk kishte asnjë pronë private në asnjë mënyrë apo formë, ndërkohë që në ish-vende komuniste në Europë njerëzit kishin mjetet e tyre. Këtu s'kishte makina private. Shqipëria kishte biçikleta, autobus, trena dhe vetëm makinat zyrtare. Gjithsej 5 mijë makina. Nuk kishim tituj pronësie sa për ta ditur. Kishim shtëpi të trashëguara nga e kaluara, por nuk kishte një gjë, nuk kishte diçka të tillë si kadastra në Shqipëri.
Pra, na thuhej që gjithçka ishte e jona, por asgjë nuk ishte e askujt, asnjë individi. Ja pse ndaj po i bie gjatë, ky lavjerrës i viteve ‘90 shkoi në skajin tjetër dhe ja pse në Shqipëri pamë gjëra për të cilat të gjithë sot janë pishman. Pamë plantacione të tëra të limonave, portokajve, brezare të gërrmuara nga të gjithë ne si skllevër nëpër kodra sepse s’kishim mjaftueshëm tokë të punueshme, por na duhej të luftonim botën si i vetmi vend komunist.
Ishim kundër gjithkujt dhe na duhej të prodhonim bukën në vend e kësisoj na duhej që të hapnim tokë të punueshme edhe në male dhe përdoreshim si skllevër, dhe të gjitha këto plantacione u zhdukën, u dogjën në shpërthimin që pasoi rënien e regjimit. Shpërbëmë hekurudhat, dogjëm shkollat, dogjëm kopshtet. Ishte një det zemërate e nuk ishte një popull barbarësh, por një popull skllevërish që gjeti lirinë dhe tmerrohej se mos armiku kthehej. Dhe është njësoj sikur çdo herë kur heq qafe një armik nga ana tjetër e urës, djeg dhe urën për të cilën do të kesh nevojë kur të ketë ikur armiku dhe këtë bëri dhe Shqipëria.
Ju vini këtu në Tiranë dhe shihni qytet të gjelbër, por nuk kishte më, nuk mbeti më hapësirë e gjelbër. Duke folur për mjedisin, e them me krenari që 90% e pemëve që shihni në rrugët e Tiranës janë mbjellë kur unë isha kryetar bashkie. Çdo hapësirë e gjelbër që ju shihni ishte e zënë vetëm nga hapësira përgjatë lumit kemi hequr 132 mijë ton beton, duke shembur të gjitha ndërtesat e paligjshme dhe ky është vetëm një sfond, një kontekst për t'ju thënë që në bregdet kur shqiptarët filluan të ëndërronin për shtëpitë e tyre, për pushimet e tyre, ndërkohë që pushimet i bënim nëpër kabina si ushtarët, kishim kohën kur mund të merrnim leje për pushime dhe vendoseshim si ushtarët në kabina me gjithë familjet dhe kabinat ishin të përbëra nga një dru shumë, shumë i lirë dhe sikur pak ta shtyje me grusht mund ta nxjerrje dorën nga ana tjetër e kabinës.
Kështu që shqiptarët filluan të ëndërronin që të bënin pushimet e tyre dhe filluan të ndërtonin. Natyrisht që ndërtimet e asaj kohe ishin të shëmtuara. Natyrisht që shumë pisha u prenë për t'u ndërtuar kaq shumë, një brez i tërë. Ishte një gabim i madh, por ishte gabimi i një momenti në histori, kur nuk mund të kërkoje më shumë. As ne madje nuk e dinim si të kërkonim më shumë.
Shikoni Kalabrinë, shikoni realitete të tjera në Europë si shkatërruan vendin e tyre, sepse ka patur periudha të tilla në histori. Ky sfond, ky kontekst shërben për t'ju thënë që po pyetja është legjitime. Pse? Pse? Përgjigja është shumë e thjeshtë. Shihni Malin e Zi. Mali i Zi nuk ka bujqësi.
Shumë prej malazezëve, atë që konsumojnë e marrin nga rajoni. Vjen nga rajoni, nga Shqipëria, nuk kanë bujqësi, nuk kanë fabrika prodhimi, nuk kanë asgjë tjetër përveç turizmit.
Atëherë si ndodh që qysh prej vitesh ata kanë pagat më të larta dhe pensionet më të larta në këtë rajon? Sepse e sollën turizmin në nivelin e turizmit të luksit. Pak gjëra mund të jenë krahasueshme me budallëkun që turizmi në nivelin e luksit mund të jetë diçka kundër njerëzve. Është një nga gjërat më të pazgjuara që mund të ndizet. Është e kundërta. Është e kundërta sepse ajo çfarë sjell një turist në një resort luksoz është më shumë në kuptimin e të ardhurave për vendin, dhe është shumë më pak në aspektin e trysnisë të trafikut, të ndotjes, e kështu me radhë.
Turizmi luksoz është ai që e mbron një vend nga ajo çfarë mund t'i shkaktojë turizmi masiv, sepse turizmi masiv ka qenë një ambasador i shkëlqyer për Shqipërinë sepse përhapi në botë zërin që ne nuk ishim ai vendi zymtë, ku mund të shkoje të dhunoheshe, të vidheshe, të vriteshe ku ka mafie, drogë, korrupsion.
E jo, është një vend i shkëlqyer ku mund të bësh pushime, por nuk mund të vazhdojmë në këtë mënyrë. Na duhet të kemi turizëm luksoz për të ndryshuar shkallën e të ardhurave për vendin dhe për të ulur trysninë që turizmi masiv ka mbi mjedisin. Flisni për mjedisin, është gjë e mirë. Le të flasim për mjedisin. Flamingot. A e dini se kur nisën të ktheheshin flamingot në Shqipëri? Sepse nuk ishin. Kur unë erdha në qeveri, kur ne e morëm qeverinë, nuk kishte atje flamingo. Pse? Sepse Shqipëria ishte vendi i nxehtë i gjuetisë së paligjshme.
Ne humbëm shumë prej jetës sonë të egër për shkak të gjuetisë së paligjshme dhe ndërkohë flamingot bashkë me pelikanët e të tjerë nisën të ktheheshin pak vite pasi vendosëm moratorium në Shqipëri duke e shpallur gjuetinë të paligjshme për 10 vjet.
Ne miratuam një moratorium për prerjen e pyjeve çka ishte e paligjshme për 10 vjet në Shqipëri nuk ishte më leje për prerjen e pyjeve për 10 vjet dhe shihni nga pamjet satelitore se ku ishte vendi dhe ku është sot dhe shihni në regjistra se ku është po themi jeta e egër apo habitati ku ka qenë e ku është dhe këtu nuk janë gjëra që them unë e që ju mund t'i verifikoni.
E di unë nuk jam tërheqës, nuk jam një protestues që mbush përplot me gëzim shpirtin e gjithë ideologëve nëpër botë se si Shqipëria e vogël po ju qëndron oligarkëve. Si po bëhet Shqipëria ky qyteti ndriçues mbi kodër? Kemi qenë qyteti që shndriste mbi kodër për 50 vjet. E dinim si dukej, si ndihesh apo se si jetohej.
Po faktet janë fakte, kështu që askush nuk mund të më japë leksione mua apo neve për mjedisin, sepse ne shpallëm, ne krijuam, hartuam ligjin e parë, hartën e parë të zonave të mbrojtura të Shqipërisë në 2017 dhe të parin regjistër e të parin inventar dhe sa për ta ditur ju, ne e gjetëm Shqipërinë me më pak se 15% të zonave të mbrojtura, ndërsa sot kemi rreth 25% zona të mbrojtura. Është një nga vendet me sipërfaqen më të madhe të zonave të mbrojtura. E pastaj na duhet të dëgjojmë se ne, Partia Socialiste e Shqipërisë në qeveri me një agjendë shumë të qartë për mjedisin, ne qenkemi rreziku dhe ne e paskemi ndryshuar ligjin për t'i dhënë hapësirë Jared Kushnerit./dritare.net