
Sherr mes biznesmenëve në Ksamil, tre persona në pranga/ Konflikti për çadrat përfundon me dhunë
Dritare.net
Tre persona janë arrestuar nga policia pas një sherri të ndodhur një ditë më parë në Ksamil, ku u përfshinë pronarë dhe punonjës të bizneseve në zonë. I lënduari është Albert Pashaj, pronar i “Euro Hotel Ksamil”, i cili është sulmuar me sende të forta brenda ambienteve të hotelit të tij.
Autori i dyshuar kryesor i dhunës është identifikuar si Agim Taraj, 43 vjeç, pronar i “Sunset Restorant Ksamil”, ndërsa në pranga kanë rënë edhe dy persona të tjerë: S. S., 18 vjeç, banues në Dibër dhe A. Z., 35 vjeç, banues në Durrës. Ata akuzohen për veprën penale të “Plagosjes së lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Sipas informacioneve paraprake, konflikti nisi për shkak të mosmarrëveshjeve mbi menaxhimin dhe vendosjen e çadrave në hapësirën përballë hotelit, një zonë bregdetare që shpeshherë bëhet burim përplasjeje mes bizneseve në jugun turistik të vendit.
Gjithashtu, policia procedoi penalisht në gjendje të lirë një shtetas të mitur, 17 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë, si dhe bashkëshorten e 46-vjeçarit të dëmtuar, pasi kjo e fundit ka shkaktuar dëme materiale në ambientet e “beach bar”-it të njërit prej të arrestuarve.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të konfliktit./K.C/dritare.net

















