
"Të çmendurit" që refuzojmë t’i shohim, tragjedia jonë sociale që vret çdo ditë!
Dritare.net
Jonida Hitoveizi
Përtej të qenit një krim makabër, vrasja e dyfishtë e kryer nga 80-vjeçari Xhavit Sinani në një fshat të Gramshit, është një krim social të cilin e kemi lejuar të gjithë që të ndodhë.
Nëse do ta marrim problemin nga fillimi, sot në Shqipëri askush nuk është i qartë se ku duhet të kërkojë ndihmë sa i takon shëndetit mendor, strukturat sociale në terren janë inekzistente, po aq sa dhe institucionet që duhet t’i mbajnë të izoluar ata që përbëjnë rrezik shoqëror. Spitalet në Vlorë dhe Elbasan janë plot, me vende të limituara, ndaj të sëmurët shpesh edhe të rrezikshëm, zakonisht kthehen pas tek familjet e tyre, të cilave u kanoset vazhdimisht rreziku i marrjes së jetës, apo ngjarje të tjera të dhunshme. Mbajtja nën kontroll me ilaçe shpesh nuk funksionon, sepse vetë të sëmurët refuzojnë t'i marrin ato.
Sa herë ndodhin vrasje të tilla nga një person me mendje të sëmurë, del gjithë fshati apo gjithë lagjia, e cila pohon se e dinin që ai ishte i çmendur po askush nuk mund të bënte asgjë, derisa mendja e të sëmurëve si ajo e 80-vjeçarit Xhavit Sinani, kryen makabritetin e radhës.
Problem tjetër është edhe stigma që ekziston ndaj problemeve të shëndetit mendor dhe edukimi i cunguar në këtë drejtim.
Shoqëria jonë e quan akoma turp sëmundjen e trurit.
Për shkak të kësaj stigme, sterotipizimi, probleme si depresioni, ç’rregullime të ankthit, pskiozat e ndryshme, sociopatia etj përpiqen të kamuflohen si gjëra momentale, pa u trajtuar nga specialistë të fushës. Turpi dhe mosnjohja e ç’rregullimeve të shëndetit mendor i bën familjet të mbyllin dyert dhe të bashkëjetojnë me to, pa ditur se çfarë të bëjnë ndryshe.
Ne konsumojmë gjithçka që na serviret por nuk merremi aspak seriozisht me gjëra thelbësore që lidhen me anën sociale të jetesës. Hapësira mediatike zjen nga ngjarjet pa thelb, nga sherret pa bereqet të politikës, ata dominojnë gjithçka duke i lënë të sëmurët mendorë dhe në mjerimin e tyre. Në mjerimin e mosditjes së të bëri diçka tjetër, përveçse akteve që gjenerojnë dhunë dhe krim. Flasim çdo ditë e më pak për fenomene sociale, duke e kthyer shoqërinë në një fushë të minuar, e cila kur plas na trondit vetëm për tre ditë./dritare.net

















