Skënder Brataj: Situata po përkeqësohet, duhen masa të tjera shtrënguese
Dritare.net
Disa ditë më parë, kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj u shpreh se, nëse ezaurohen të gjithë skenarët, pastaj pacientët do t’i trajtojnë edhe në ambulancë, edhe në shtëpi, edhe në hotele, edhe në korridore, por edhe në stadiume siç e bën edhe gjithë bota.
Sot, Brataj tha se, kjo deklaratë është keqinterpretuar, duke shtuar se, nuk do të shkojnë në hotele e stadiume, por pacientëve do t’u shërbehet kudo në varësi të situatës.
"Do të aktivizohen spitalet rajonalë përpara se të ezaurohet COVID 4. Kemi plotësuar kapacitetet spitalore. Shumë herë keqinterpretohen thëniet tona. Ne nuk do shkojmë në hotele dhe stadiume. Pacientit do t'i shërbehet kudo në varësi të situatës. Kemi dhe një moment që do të bllokohet infeksioni me alternimin e mësimit si dhe me pjesën e pushimeve dimërore. Nëse do ezaurohen kapacitetet. Çfarëdolloj skenari të vijë, ne do i trajtojmë si të kemi mundësi. Askujt nuk do t'i mungojë trajtimi" - tha Brataj.
Brataj u shpreh ndër të tjera se, nëse do të kishte një izolim total të vendit, do të ulej përhapja e Covid-19.
"Është thënë disa herë që masat fillojnë nga ato më të lehta deri tek më të ashpra. A funksionojnë këto masa? Ashpërsimi i tyre do të ishte më efektiv për ndalimin e virusit. Por nëse do të mbyllim shkollat, atëherë fëmijët do të dalin jashtë nëpër lulishte. Nëse do të kemi një izolim total do frenohej përhapja e virusit. Ndaj nuk e mbyll mundësinë e infeksionit. Mendoj se me ardhjen e festave të fundvitit, njëfarë mase do kontrollojë infeksionin."
Kreu i Urgjencës thotë se duhen masa të tjera shtrënguese pasi situata po përkeqësohet.
Nevojiten kufizime të tjera. Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen të zbatojnë rregullat, nëse nuk do të kontrollohet infeksioni do të ketë masa të tjera, kufizime të orareve dhe masa siç po aplikojnë vendet e tjera të botës."-tha Brataj./K.C/dritare.net