Turisti: Isha i pari që thashë se Covid-19 ishte budallallëk. Tani s’marr frymë, s’eci dot. Jam bërë si mumie
Dritare.net
Një turist britanik, i cili nuk besonte te koronavirusi, tani është shtrirë në krevat, i lidhur me oksigjen. Chris Grailey, 29 vjeç, mendonte se ishte i pamposhtur, por tani ka vënë oksigjenin dhe është shtruar në spitalin në Watford, Hertfordshire, në Britani të Madhe. Grailey është menaxher shitjesh dhe nuk vuan nga ndonjë sëmundje bashkëshoqëruese. Përmes një videoje në Facebook, ai ka paralajmëruar të rinjtë që të mos bëjnë gabimin që bëri ai, duke mos mbajtur maskë dhe distancë.
“Unë isha i pari që thashë se Covid-19 ishte budallallëk. Por kjo që po më ndodh është reale. Po paguaj çmimin. Nuk vuaj nga asnjë sëmundje kronike. Nuk dua që dikush të bëjë gabimet që bëra unë. Tani jam në kujdes intensiv, por pres të marr trajtimin dhe nuk e di nëse do të dal nga këtu. Dua që ta merrni këtë mesazh, sepse mund t’i ndodhë kujtdo. Ju lutem kujdesuni! Pjesën më të madhe të pushimeve e kalova sëmurë, humba shijen, nuhatjen, kisha djersë të ftohta. Por u bëra më keq kur u ktheva në shtëpi. Bëra skaner, analiza duke menduar se isha mirë. Por jo të martën më nxorën me Covid-19. M’u duk sikur preka ferrin. Sinqerisht, u shtriva atje, isha gati të hiqja dorë. Nuk marr dot frymë, nuk eci, nuk lëviz dot. Jam bërë si mumie.”, tha 29-vjeçari./K.C/dritare.net