Nga Skënder Minxhozi
Në 6 mars të vitit të shkuar fraksioni i Berishës, më saktë i paraqitur në letrat e KQZ si “PD-Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit”, e pa veten përballë nevojës urgjente të kandidimit në bashkitë ku u votua paraprakisht. Juristët zbuluan pa shumë mund se koalicioni në fakt përmbante vetëm siglat e LSI dhe PDK, ndërsa Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit ishte futur si “diversant” në brendinë e tekstit të aplikimit. Berisha u përpoq të trafikonte copën e tij të partisë si një subjekt më vete, ndërkohë që ligji elektoral e përcakton qartë se cili ka të drejtë të paraqesë kandidatë në procese zgjedhore.
Kandidatët e Berishës u votuan nën petkat e Ilir Metës dhe Nard Ndokës, teksa listat e votimit e përmbanin gjithashtu edhe siglën “PD”, po ata ishin kandidatë të Lulzim Bashës në garë. Ky është mish-mashi i hatashëm që ka krijuar brenda partisë më të madhe të opozitës 8 janari me tymin e flakën që solli me vete në selinë e PD. Ky është njëherësh edhe kaosi që ka provokuar rikthimi i Berishës në parti, me një valë nostalgjie, frustrimi, reagimi dhe konflikti të brendshëm.
Më 3 mars, pak orë më parë, kishte vetëm një subjekt që përfitoi realisht nga shtyrja e vendimit të gjykatës për pronësinë mbi simbolet e PD. Kjo ishte partia e Ilir Metës, e cila tani fërkon duart pasi po i vjen në shteg edhe një herë që të kthehet në strehën zyrtare të votave të opozitës. Marrëveshja e premtuar e Berishës me Partinë e Lirisë fuqizon dukshëm Metën, rrit frustrimin dhe zemërimin e një pjese të mirë të elektoratit të djathtë në raport me PL, si dhe dhe rrit varesinë e Berishës nga aleati i tij tekanjoz, që ka flirtuar majtas-djathtas që nga dita e parë e krijimit të partisë së vet personale./Javanews