Nga Skënder Minxhozi
Pasioni dhe vëmendja që mediat i kushtuan betejës për vulën e Partisë Demokratike në gjykatën e apelit të Tiranës krijonte të premten përshtypjen se nga ky verdikt varej dhe ende varet fati dhe e ardhmja e kësaj partie. Më gjerë se kaq, është krijuar përshtypja se vendimi burokratik se cilit i kalon e drejta e përdorimit të simboleve të PD, do të përcaktojë në mënyrë përfundimtare jo vetëm fatet e lidershipit të kësaj force politike, por edhe fatet e Shqipërisë. Të duket sikur rrëzimi i Edi Ramës mbahet peng thjesht nga një vendim gjyqtarësh anonimë të fshehur pas një kutie xhami në gjykatën e apelit buzë Lanës.
Që kjo është një procedurë që ka peshën e vet për balancat dhe funksionimin e PD, për luftën brenda gardhit dhe për fraksionet “ndërluftuese” në parti, kjo është një e vërtetë e pamohueshme. Në Partinë Demokratike ka aktualisht një luftë krahësh e cila nën hijen e rëndë negative të Sali Berishës, merr gabimisht trajtat e një lufte brezash. Ngjan sikur po lufton e djeshmja me të ardhmen. Në fakt po ta analizosh këtë tabor politikanësh që nisën të kacafyten në 8 janar dhe po e vijojnë sherrin brenda gjykatave, do të vëresh se kemi të bëjmë me një grupim personash të ndarë momentalisht më dysh nga figura e Berishës, por jo diçka më tepër se kaq.
Disa prej figurave politike e deputetëve navigojnë mes dy grupeve në mëdyshje për pozicionimin e tyre, të tjerë rrinë në heshtje dhe presin të dalë një fitues në fund të rrugës. Shumë prej kontestuesve të sotëm kanë qenë adhurues të Beerishës për vite me radhë dhe ende sot vijojnë t’i atribuojnë atij merita që realisht s’i ka. Lufta në PD është e tillë prej rrufesë amerikane mbi Doktorin e jo prej ndonjë ndarjeje të qartë parimore ose doktrinare./javanews