Nga Eldon Gjikaj
Me afrim e zgjedhjeve të 25 prillit, dita ditës, po vërshojnë një mori parashikimesh (sondazhe) për rezultatin e pritshëm, të realizuara nga ente të ndryshme. Fakti që asesi s’mundesh dot t’i kalosh tangent është parashikimi i rezultatit të zgjedhjeve në Tiranë dhe kjo për disa arsye: Tirana ëshë kryeqendra e Shqipërisë, në aspektin administrativ, kulturor, ekonomik etj.; Tirana është kthyer tashmë në megapolin tonë metropolitan, me numër rekord banorësh, që do të prodhojë numrin më të madh të deputetëve; Tirana, politikisht dhe sociologjiksht, është “zemra” konfliktuale, njëkohësisht konsensuale, mes shtresëzimeve të ndryshme komunitare; Tirana është një agregat unik i prurjeve nga viset më të ndryshme nacionale, që sot bashkëekzistojnë në të njëjtin territor; jo thjesht për zhargon po, tek e fundit, “Tirona është nona”.
Mund të thuhet pa droje se Tirana duhet përfillur si kampioni sintetizues i parashikimit elektoral për zgjedhjet e 25 prillit. Nga sondazhet e deritanishme Partia Socialiste, në Tiranë, fiton më shumë deputetë sesa koalicioni opozitar. Politikisht një e tillë pritshmëri do të funksionojë si forcë centripete edhe për qytetet e tjera, duke i maksimalizuar energjitë për Partinë Socialiste me synim fitoren e mandatit të tretë. Përparësia elektorale e Partisë Socialiste në Tiranë, krahasimisht me opozitën e ka një shpjegim. Partia Demokratike, më herët, dhe Partia Socialiste, më vonë, me rotacionet në kohë, e kanë qeverisur Tiranën, por mënyra sesi e kanë qeverisur ka jo pak diferenca. Me Edi Ramën (2000-2011), Tirana shumë shpejt, jo vetëm që arriti të dalë nga tallavaja urbane e trashëguar nga binomi demokrat Kelmendi-Brojka, që e kishin zhytur qytetin në një baltovinë ngrehinash teneqeje rrakapjekthi, pejsazh surreal që vështirë se do ta rrokte dot në telajo edhe fantazia e çartur e H. Bosch-it, por nisi rrugëtimin si metropol në shinat e logjikës dhe ardhmërisë moderne.
Në zgjedhjet e vitit 2011 Basha e fitoi Bashkinë e Tiranës, përmes një “numri shpejtësie” me kuti; iluzionist ishte Kryetari i asokohshëm i Komisionit Qendror të Zgjedhjve, i cili nuk nxorri nga kutia pëllumba, apo shirita shumëngjyrësh, por ca pak vota vendimtare për Lulin. Basha si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, do të shkëlqejë me apatinë e tij ndonëse kishte një mundësi të artë për të dëshmuar vullnetin dhe nervin që duhet të karakterizonte një lider ambicioz. Kjo apati, dashur pa dashur, e trajtëson Lulin edhe sot në sytë e elektoratit. Dështimi i tij i plotë në qeverisjen e Tiranës mund të jetë preludi i humbjes në këto zgjedhje.
Prej vitit 2015 Tirana qeveriset rishtas nga Partia Socialiste me Erion Velinë, që në këto zgjedhje është edhe personi qendror politik për Tiranën. Në këto vite Tirana ka njohur një ritëm edhe më të lartë zhvillimi, sidomos në infrastrukturë, madje shpeshherë me një intensitet frenetik. Sigurisht që oponenca qytetare, tok me ekspertizën profesionale për çështje të ndryshme të zhvillimit të Tiranës, sidomos në lidhje me trashëgiminë kulturore, me hapsirat urbane, me cilësinë e jetës, trafikun infernal, me rakordimin e volumeve në ndërtim, hapësirat e gjelbëra, vlon e madje shumë më fort duhet të vlojë, derisa të sjellë rreflektim sidomos kur çështja “kërcet” dukshëm, por që Tirana vazhdon të marrë gjithnjë në rritje fizionominë e një qyteti më mirë të jetueshëm është fakt i pamohueshëm. Kjo është arsyeja pse parashikimet e nxjerrin Partinë Socialiste fituese në Tiranë dhe “Tirona është nona”./dritare.net