Si e sheh Inteligjenca artificiale Ballkanin Perëndimor më 2030
Dritare.net
Nga: Veton Surroi
Pakoja e briefingut për shefen e re të diplomacisë evropiane mund të duket kështu. Për fat të keq.
1.
Pyeta tri “makina” të Inteligjencës artificiale-Gemini të Google, ChatGPT dhe CoPilot to Microsoftit pyetjen e njëjtë: si e shohin ardhmërinë e Ballkanit Perëndimor në vitin 2030. Mora tri përgjigje të ndryshme, ndonëse nuk ishin larg njëra-tjetrës. Pastaj kopjova të tri përgjigjet e marra nga këto tri makina dhe kërkova që të krijojnë një tekst të unifikuar.
Teksti që krijoi ChatGPT (me urdhër shqip dhe tekst të kopjuar shqip e prodhuar shqip) ishte ky:
Ballkani Perëndimor më 2030: Një kryqëzim i mundësive dhe sfidave
E ardhmja e Ballkanit Perëndimor në vitin 2030 është e pasur me mundësi, por edhe e mbushur me paqartësi. Integrimi në Bashkimin Evropian, zhvillimi ekonomik dhe stabiliteti politik janë tri shtylla që do ta përcaktojnë trajektoren e rajonit.
Skenarë të mundshëm:
• Integrim i suksesshëm në BE: Një skenar optimist që do të çojë në rritje ekonomike, forcimin e demokracisë dhe uljen e varësisë nga faktorët e jashtëm.
• Stacionim i përkohshëm: Një proces i ngadalshëm i integrimit, i ndikuar nga sfidat e brendshme dhe të jashtme, duke lënë rajonin në një zonë gri.
• Rritje e tensioneve: Një skenar pesimist me përshkallëzim të konflikteve të pazgjidhura, ndikim të shtuar të Fuqive të mëdha dhe rrezik të destabilizimit të rajonit.
Faktorë kryesorë:
• Procesi i zgjerimit të BE-së: Shpejtësia dhe kushtet e zgjerimit do të jenë vendimtare për të motivuar reformat dhe tërhequr investimet.
• Reformat e brendshme: Forcimi i sundimit të ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe modernizimi i ekonomisë janë thelbësore për një të ardhme më të mirë.
• Ndikimi i Fuqive të Mëdha: Konkurrenca për ndikim në rajon do të vazhdojë, duke krijuar si mundësi ashtu edhe sfida.
• Çështjet historike: Mosmarrëveshjet e pazgjidhura mund të riaktivizohen dhe të pengojnë bashkëpunimin rajonal.
• Krizat globale: Ngjarje të papritura si pandemitë mund të ndikojnë në mënyrë të papritur në zhvillimet e rajonit.
Çfarë të presim:
• Ekonomi më e integruar: Lidhjet ekonomike me BE-në do të forcohen, por rritja e papunësisë dhe emigrimi mund të jenë sfida.
• Rritje e investimeve: Sektorët e energjisë, infrastrukturës dhe turizmit do të tërheqin më shumë investime.
• Klasa e mesme në rritje: Nëse reformat e suksesshme, do të krijohet një klasë e mesme më e madhe, e cila do të kërkojë më shumë demokraci dhe liri.
• Bashkëpunim rajonal: Do të ketë një thellim të bashkëpunimit në fushën e tregtisë, energjisë dhe infrastrukturës.
• Sfida të vazhdueshme: Korrupsioni, krimi i organizuar dhe varësia nga energjitë fosile do të mbeten pengesa.
Përfundim:
E ardhmja e Ballkanit Perëndimor varet nga zgjedhjet e qeverive, nga angazhimi i qytetarëve dhe nga mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare. Rajoni ka potencialin për të bërë një tranzicion të suksesshëm drejt një të ardhmeje më të mirë, por kjo do të kërkojë përpjekje të vazhdueshme dhe një vizion të qartë për të ardhmen.
Pyetje për diskutim:
• Cilët janë faktorët më të rëndësishëm që do të përcaktojnë të ardhmen e Ballkanit Perëndimor?
• Çfarë roli duhet të luajë BE-ja në këtë proces?
• Si mund të adresohen çështjet historike dhe të forcohet bashkëpunimi rajonal?
2.
I tërë operacioni për të arritur një rezultat të këtillë mori shumë më pak se gjysmë ore. Dhe një dokument i këtillë lirisht mund të ketë ngjashmëri me pakon që do përgatitur për shefen e re të diplomacisë evropiane, Kaja Kallas. Të tri makinat e inteligjencës artificiale analizojnë fjalët, ligjërimin publik dhe analiza e ligjërimit publik rreth Ballkanit Perëndimor tregon për skenarë që janë si ato të prognozave meteorologjike të viteve shtatëdhjetë: mund të bjerë shi, por mund edhe të mos bjerë - varet nga erërat e veriut, perëndimit dhe jugut.
Të tri makinat e inteligjencës artificiale do të prodhonin këtë dokument - po të kishin ekzistuar atëherë edhe para dhjetë vjetësh: Ballkani Perëndimor do të gjendej sërish në kryqëzim mes mundësive dhe sfidave.
Dhe të tria makinat e inteligjencës artificiale shpeshherë tingëllojnë si Peter Stano, zëdhënës i EEAS apo shefat e tij. Për shembull “Shpejtësia dhe kushtet e zgjerimit do të jenë vendimtare për të motivuar reformat dhe tërhequr investimet” dhe “Forcimi i sundimit të ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe modernizimi i ekonomisë janë thelbësore për një të ardhme më të mirë”.
Por fakti se ky dokument - po të kishte makina të IA më 2014, do të prodhohej saktësisht i njëjtë, e shtron pyetjen elementare: nëse Kaja Kallas do ta marrë një këso dokumenti, çfarë është vlera e shtuar e tërë atij aparati që është përgjegjës për formulimin e politikës së jashtme të Komisionit evropian?
Mbase në adresimin e tri pyetjeve që shtron CHATGPT, e që me gjasë nuk i ka shtruar përbërja e Komisionit Evropian së cilës i skadon mandati:
• Cilët janë faktorët më të rëndësishëm që do të përcaktojnë të ardhmen e Ballkanit Perëndimor?
• Çfarë roli duhet të luajë BE-ja në këtë proces?
• Si mund të adresohen çështjet historike dhe të forcohet bashkëpunimi rajonal?
3.
Ia rishtrova sërish këto pyetje ChatGPT dhe më dha një elaborim të gjatë, i cili mund të kishte dalë prapë nga EEAS, apo madje edhe nga organizatat e shoqërisë civile e institutet që merren me relacionin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Ia rishtrova pyetjen në formë tjetër: çka është ajo që BE-ja duhet të bëjë, e që nuk ka bërë dhe përgjigjja ishte pak a shumë brenda një konteksti që duhet të bëjë më shumë se ç’ka bërë dhe në formë më të thelluar.
Inteligjenca artificiale nuk mund të prodhojë diçka që nuk ekziston në ligjërim publik. Pra ChatGPT, CoPilot dhe Gemini nuk mund të prodhojnë zgjidhje që nuk ekzistojnë në kokën e njerëzve. Inteligjenca artificiale është për këtë shkak artificiale: nuk ka vullnet të vetin. Pra, nuk mund të jetë as zëvendësuese e vullnetit në ligjërimin e inteligjencës njerëzore.
Mësimi më i mirë që mund të japë inteligjenca artificiale është për mungesat në mendimin njerëzor, gjegjësisht atë të ligjëruar publikisht. Nëse në këtë ligjërim brenda shekullit XXI këto janë mundësitë që shihen për Ballkanin Perëndimor, përparësia e IA është që këtë na e tregon brenda pak sekondash. Thirrja katarzike për zgjidhje më të mira nuk duhet të ndodhë më me konferenca të mëdha ndërshtetërore, ChatGPT me Gemini e Copilot mund të tregojnë brenda disa minutash shpërputhjen mes realitetit të Ballkanit Perëndimor dhe mendimit politik në BE.
4.
Nuk desha t’ua shtroj makinave të inteligjencës artificiale një pyetje-konstatim të thjeshtë nga pritja (mbase e paragjykuar, apo e paragjykuar me të drejtë) se do të marrë përgjigje alla zëdhënësit e EEAS apo diplomatët që merren me regjionin. Pyetja është se përse Serbia është më larg BE-së sot sesa kur u bë shtet kandidat për anëtarësim në Bashkim Evropian më 2012?
Për ekipin e ri të EEAS, mbase kjo mund të ishte njëra prej pyetjeve nismëtare me të cilat do të kuptojnë se çfarë është natyra e misionit që e pret në Ballkanin Perëndimor./KohaDitore