Basha takim me qytetarë që e kanë kaluar kovidin: Do ta mundim këtë të keqe dhe ta shërojmë Shqipërinë!
Dritare.net
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi sot një bashkëbisedim me disa qytetarë të cilët e kanë kaluar kovidin. Qytetarët ndanë eksperiencat e tyre, të cilët akuzuan se shumicën e shërbimeve e kanë marrë në privat. Shifrat që ata deklaruan në takimin me kreun demokrat për mjekimin, varionin deri në 1 milionë e 800 mijë lekë. Ndërsa Basha u shpreh se qeveria ka dështuar në menazhimin e pandemisë.
"Unë dhe askush tjetër nuk mund të bëjë përgjegjës qeverinë për pandeminë, por për përgjigjen ndaj pandemisë absolutisht ka qenë një keqmenaxhimin dhe një dështim total, që fillon me mungesën e testimeve dhe sot që flasim testimet janë më të ulëta në Europë, ndërkohë që numri i infeksioneve të raportuara po rritet nga dita në ditë dhe numri i infeksioneve të pa raportuara të jeni të sigurt sipas mjekëve me të cilët kam biseduar edhe mbrëmë, është 2-3 deri në 5 herë më i lartë se ajo që raportohet. Dhe për këtë po, fajin e ka kryeministri, fajin e ka qeveria dhe s’mund të fshihet pas asnjë Komiteti, se këto janë vendime që i merr qeveria. Qeveria vendos se ku do t’i shpenzojë paratë e taksave që u kërkojnë njerëzve. Taksat i merr qeveria, taksat i shpenzon qeveria. Ne do të bëjmë gjithçka që ta mundim këtë të keqe në të gjitha dimensionet e saj dhe ta shërojmë Shqipërinë edhe të ecim drejt një të ardhme më të mirë ashtu siç dëshironi ju dhe ashtu siç dëshiron çdo shqiptar. Edhe njëherë ju falenderoj nga zemra për këtë bisedë", tha Basha./L.F-dritare.net