Gjiknuri i përgjigjet Berishës: 9 vite më parë na la në duar kufomën energjetike!
Dritare.net
Pas deklaratave të Berishës për krizën energjitike dhe lënien e fajit tek Partia Socialiste, ka reaguar Sekretari i Pergjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri.
Me anë të një reagimi në Facebook ai shkruan se Sali Berisha tentoi të rikthehet në sytë e shqiptarëve si engjëll ndonëse gjithsecili e di se maska e ëngjëllit nuk rri mbi fytyrën e varrmihësit të sektorit energjetik.
“Gati 9 vite pasi na la në duar “kufomën energjetike”, Sali Berisha tentoi sot të rikthehet në sytë e shqiptarëve si ëngjëll ndonëse gjithësecili prej nesh e di se maska e ëngjëllit nuk rri mbi fytyrën e varrmihësit të sektorit energjetik. Do apo nuk do, i pëlqen apo nuk i pëlqen, ai do të mbahet mend si arkitekti i kolapsit financiar me sektorin energjetik, me humbjet mbi 45%, zinxhirin e borxheve mes kompanive mbi 1 miliard USD dhe lakun e falimentit në qafë falë privatizimit të dështuar e korruptiv të kompanisë së shpërndarjes. Reforma në energji është një prej sukseseve më të qëndrueshme të qeverisë “Rama” dhe pse jo një prej arritjeve që si ish-ministër më bëjnë të ndjehem krenar. Në vetëm 5 vitet e para të qeverisjes sonë ne arritëm të përgjysmonim humbjet në energji, dyfishuam arkëtimet, rikthyem asetet e kompanisë në duart e shtetit shqiptar, i dhamë fund abuzimit ndaj qytetarëve në faturim, këputëm zinxhirin e borxheve mes kompanive dhe shëndoshëm financiarisht sektorin. Investuam mbi 600 milion euro nga kompanitë publike në prodhim, transmetim dhe shpërndarje. Kapacitetet gjeneruese? Mjafton që kushdo të hapë raportin e ERE-s për vitin 2013 dhe ta krahasojë me raportin e vitit 2021. Kishim 1,878 MW kapacitete të instaluara publike/private ndërsa sot kemi 2,605 MW mes të cilave edhe shumë kapacitete të energjisë së rinovueshme duke i shërbyer diversifikimit të burimeve energjetike", shkruan Gjiknuri./M.K/dritare.net