Ivi Kaso: PD është e gatshme që të vendosë bashkërisht në parlament për reformën zgjedhore
Dritare.net
Ekziston nevoja për një reformë zgjedhore në vendin tonë, tha në “Raw Politics” Ivi Kaso, i cili shtoi se Partia Demokratike është e gatshme për të vendosur mbi këtë reformë bashkërisht, në parlament.
“Palët, në kuadër të një ushtrimi parlamentar, të ndalen dhe të bëjnë gjetjet e procesit problematik, të analizojnë përfundimet e raportit OSBE/ODIHR dhe të vendosin bashkërisht”, u shpreh z. Kaso.
Sekretari për çështjet zgjedhore i Partisë Demokratike tha se reforma zgjedhore duhet të garantojë standarde që sipas tij, në zgjedhjet e fundit nuk janë arritur.
Z. Kaso shtoi se OSBE/ODIHR thekson në një pikë të raportit se është e domosdoshme që zgjedhjet të pasohen me një reformë të re zgjedhore.
Sipas Ivi Kasos, mazhoranca ndryshoi Kodin Zgjedhor në “mënyrë të njëanshme” në aspekte që “ndikuan dhe deformuan” rezultatin e procesit zgjedhor në zgjedhjet e 25 prillit.
“Ashtu siç vërtetohet nga vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh ai.
Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar nenet e Kodit Zgjedhor që përcaktojnë herësin dhe shpërndarjen e mandateve./euronews