Revoltohet Fatmir Mediu: Këtu s'ka drejtësi, ka vetëm agjitacion dhe propagandë!
Dritare.net
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tha në emisionin "Now" në Euronews Albania se shteti i së drejtës në Shqipëri nuk ekziston dhe njerëzve po u bëhet gjyqi në media.
Duke iu referuar rastit të fundit të arrestimit të sekretarit të Ministrisë së Financave, Mediu u shpreh se dokumentet hetimore stimulohen në media në vend që të prokuroria të merret me hetimin.
“Unë i kam në kurriz këto që them dhe gjysmë të vërtetat nuk janë gjithmonë të vërteta. S’e njoh Gjokutajn, kam njohur të atin që ka punuar në KQZ, por boll dukem u sulur si hienat mbi kërmat. Kjo lloj lufte që po bëhet nuk i shërben asnjëherë transparencës. Përfundimet e prokurorisë nuk janë vendim, gjykata je vendim, vetëm në kohën e Enverit s’kishte avokatë. Këtu nuk ka më as kod penal as kod të procedurës penale, ka vetëm agjitacion dhe propagandë”, tha Mediu.
Mediu sqaroi se në 15 vjet nuk është thirrur asnjë ditë të vetme për të dëshmuar dhe dje i është vënë para dosja e vitit 2009, me prokurorët e po të njëjtit vit dhe i është kërkuar të firmosë atje ku kanë firmosur ata prokurorë.
“Kur sjellja nuk është proceduriale padyshim është politike. Çfarë mbart në thelb kjo lloj politike, kjo vlen pastaj ta analizojë gjithsecili. Ajo që unë dua të them është se ne duhet të vijmë te një moment si shoqëri kur ne si politikanë, të kuptojë një nocion shumë thelbësor në një shtet demokratik që është në raport me të drejtën, prezumimin e pafajësisë,” – u shpreh Mediu.
Ish-ministri i Mbrojtjes është marrë i pandehur me akuzën e ‘shpërdorimit të detyrës’ për tragjedinë e Gërdecit.