Rithemelimi: Alibeaj po përpiqet të zgjedhë nën-dorë presidentin e Ramës!
Dritare.net
Zëdhënësja e Rithemelimit, Floriana Garo, e ka konsideruar akt të paligjshëm thirrjen e mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD nga Enkelejd Alibeaj, për të diskutuar mbi negociatat me maxhorancën për zgjedhjen e presidentit të ri. Në një deklaratë për mediat, Garo tha se Alibeaj nuk mund të thërrasë mbledhje grupi pasi është shkarkuar nga detyra e kreut të Grupit Parlamenatr të PD. Ajo e akuzoi atë se po përpiqet të zgjedhë nën-dorë presidentin e Ramës.
"Pas shkarkimit nga çdo detyrë nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i datës 30 Prill 2022, deputeti Enkelejd Ailbeaj nuk përfaqëson as Partinë Demokratike, e as grupin e saj parlamentar. Me gjithë këtë, ai vazhdon të përfshihet në farsën e turpshme të Edi Ramës të negociatave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës me opozitë të emëruar prej tij.
Deputeti Enkelejd Alibeaj dhe cilido që merr pjesë në farsen elektorale të Edi Ramës, përfaqëson thjesht veten dhe problemet e tij dhe kurrë opozitën shqiptare. Deputeti Alibeaj, po përpiqet që të zgjedhë nën-dorë presidentin e Edi Ramës ose më së paku ta legjitimojë atë përkundrejt ndonjë pazari të tij.
Kjo përbën tradhti ndaj qindra mijra zgjedhësve shqiptarë të cilëve, Edi Rama bashke me patronazhistët, paratë e drogës dhe krimit, bandat e lidhura me qeverinë dhe duke përdorur të gjithë narkoshtetin, u rrëmbeu votën. Për rrjedhojë, Edi Rama nuk ka vota të ligjshme për të zgjedhur një president legjitim me votat e tij", shprehet Garo./Xh.Xh/dritare.net