A është peshku vërtet një ushqim i shëndetshëm?!
Dritare.net
Peshku konsiderohet si një nga ushqimet më të shëndetshme. Por rritja e disponueshmërisë së alternativave me bazë bimore dhe shqetësimet rreth sigurisë së prodhimeve të detit, kanë bërë që disa shkencëtarë të pyesin nëse na duhet vërtet të konsumojmë peshk. Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e KB raporton se që nga viti 1974 rezervat e peshkut brenda niveleve të qëndrueshme biologjikisht kanë rënë nga 90% në nën 66% sot.
Grave shtatzëna ose atyre që ushqejnë fëmijët me gji u thuhet shpesh herë të kufizojnë konsumin e disa lloje peshqish për shkak të ndotësve të shumtë që ka në liqene, lumenj dhe dete.
Pra ngrënia e peshkut ka më shumë përfitime shëndetësore apo rreziqe shëndetësore?
Në dekadat e fundit, një nga shqetësimet më të mëdha në lidhje me konsumimin e peshkut ka qenë niveli i lartë i ndotësve dhe metaleve që gjenden ne habitatet ujore dhe si pasojë edhe në ushqimin që peshqit konsumojnë, informon dritare.net.
Njëri prej këtyre ndotësve është bifenilet poliklor (PCB) i cili mund të gjendet në peshkun që konsumojmë. Megjithëse PCB u ndalua me ligj në vitet 1980, ky kimikat industrial u përdor në të gjithë botën në sasi shumë të mëdha dhe ende ka ngelur në përbërjen e tokës dhe të ujit. Futja e tij në organizëm shoqërohet me një sërë efektesh negative për shëndetin, që nga dëmtimi i sistemit imunitar deri tek i trurit. Ndërsa PCB është i pranishëm në gjithçka, nga produktet e qumështit deri tek uji i pijshëm, peshqit kanë tendencën të kenë nivelet më të larta të pranisë së këtij kimikati.
Problemi i akumulimit të toksinave haset më shpesh në peshkun e egër. Peshqit e rezervuarëve janë më të sigurt se ata të egrit për shkak se përbërësit e marrë nga deti që përdoren për të ushqyer peshqit pastrohen dhe u hiqen toksinat./S.F-dritare.net