Pirja e duhanit e rrit apo zvogëlon rrezikun nga koronavirusi?
Dritare.net
Në rrjet qarkullojnë shumë lajme kontradiktore në lidhje me duhanin dhe ndikimin e tij në rrezikshmërinë për jetën të virusit Covid-19. Disa shkruajnë që pirja e duhanit mund të ‘kurojë koronavirusin’ dhe disa të tjerë shkruajnë që ajo mund t'ju bëjë më të rrezikuar nga Covid-19.
Por cila është lidhja e vërtetë midis pirjes së duhanit dhe Covid-19? Do të ishte shumë ngazëlluese për duhanpirësit nëse konsumimi i duhanit do të bëhej papritmas një gjë e mirë për shëndetin, por gjithsesi nuk është kështu.
Disa artikuj sugjerojnë që duhanpirësit kanë më shumë gjasa të infektohen dhe të sëmuren rëndë nga Covid-19. Kjo sepse duhanpirësit e prekin fytyrën dhe gojën e tyre më shpesh, që do të thotë se ata mund të infektohen më lehtë. Gjithashtu pirja e duhanit dëmton rëndë mushkëritë, duke ju bërë më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve të frymëmarrjes, përfshirë këtu edhe Covid-19. Ne e kuptojmë që pandemia është shumë stresuese, por çasti më i rëndësishëm për ta lënë duhanin është tani. Studimet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) zbuluan se në pacientët me Covid-19, pirja e duhanit shoqërohej me simptoma më të rëndë dhe rrezik më të lartë për vdekjen. Por ata shprehën gjithashtu se nuk kishin prova të mjaftueshme për të thënë përfundimisht nëse duhanpirësit kanë më shumë mundësi të infektohen nga virusi apo jo, informon dritare.net
Disa artikuj, në fillim të pandemisë sugjeruan që duhani mund të zvogëlojë rrezikun nga virusi korona ose mund të ndihmojë në trajtimin e tij. Por studime të shumta e hedhin poshtë këtë.
Shumë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar po lënë duhanin në mënyrë që të zvogëlojnë rrezikun e infektimit me koronavirus. Një studim që përfshiu 2.4 milion njerëz në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se pirja e duhanit e rrit rrezikshmërinë e Covid-19. Duhanpirësit kishin 14 për qind më shumë mundësi për të zhvilluar simptoma të Covid-19, të tilla si kollë e vazhdueshme apo temperaturë e lartë. Nga ana tjetër, ekspertët në Paris sugjeruan se pirja e duhanit mund t'i bëjë njerëzit më pak të ndjeshëm ndaj simptomave të virusit. Autorët e këtij studimi u shprehën se duhanpirësit aktualë kanë një probabilitet më të ulët për të zhvilluar një infeksion simptomatik në krahasim me popullatën e përgjithshme. Studiuesit thanë se virusi hyn në qelizat tona duke bllokuar receptorët e proteinave të quajtur ACE2, të cilat gjenden në sipërfaqet e qelizave. Sipas tyre, nikotina bashkohet me receptorët ACE2, duke parandaluar ngjitjen e virusit dhe zvogëlon sasinë e virusit që mund të futet në qelizat e mushkërive. Sidoqoftë, studimi nuk tregonte se pirja e duhanit parandalon koronavirusin edhe pse disa artikuj e shtrembëruan gjetjen studimore. Studimi gjithashtu ende nuk është kontrolluar nga shkencëtarë të tjerë. Për sa i përket studimit, rreth 60 për qind e pacientëve të shtruar ishin ish-duhanpirës. Ata u klasifikuan si "pirës jo të përditshëm të duhanit " por disa nga këta njerëz mund të kenë hequr dorë nga pirja e duhanit kohët e fundit, veçanërisht për shkak të shpërthimit të koronavirusit dhe kjo ka ndikuar në rezultatet e gjetjes./S.F/dritare.net