Kur "njollat në biografi" të asgjësojnë publikisht!
Dritare.net
Nga Av Denisa Daka
Një shfaqje unikale e Kryepolicit të Tiranës do të mbahet mend gjatë këtu! Kur për herë të parë, kam parë videon në të cilën demonstrohej dhuna e pashoq ushtruar kundra një minoheni, ditë të tëra kam qenë e trazuar! Kur kam mësuar se nëna e atij djaloshi rriste e vetme atë fëmijë së bashku me dy vocërrake të tjerë, jam trazuar disa fish më shumë. Ajo zonjë, mijëra zonja të tjera, unë gjithashtu, kemi pritur përgjatë këtyre ditëve një ndjesë publike nga uniformat blu, pas kësaj dorëzimin para drejtësisë të personave përgjegjës gjithashtu.
Ndërsa një tjetër shfaqje dhune na u përplas në fytyrë sërish.
Në vend të ndjesës një kryepolic i cili paguhet me taksat tona, kryqëzoi, dhunoi e masakroi publikisht sot një grua-nënë, duke e njollosur publikisht në shkelje të detyrës e çdo norme të pranuar, duke e vrarë disa herë radhazi para fëmijëve të saj posaçërisht.
Në vend të ndjesës një kryepolic, justifikoi me të gjitha mënyrat dhunën e ushtruar kundra një minoreni para dhjetërave deputeteve, ndërsa askush në atë foltore nuk ia ndërpreu fjalën, askush nuk i tërhoqi vëmendjen për këtë shfaqje të paprecedent, askush nuk kërkoi dorëheqjen e tij pas kësaj.
Në vend të ndjesës një kryepolic vendosi t'u japë një mesazh të gjithë qytetarëve të këtij vendi, që denoncimi i dhunës, arbitraritetit, paligjshmërisë a shkeljes së të drejtave, do të konsiderohet i papranueshëm, ndërsa denoncuesit me "njollë në biografi", do të përballeshin me një set dëmesh pas kësaj.
Nuk u gjetën kurrë mundësi në fakt për të suportuar këto gra-nëna të cilat rrisin të vetme fëmijët e tyre, këto gra-nëna të cilat për shkak të kushteve a fatit të mbrapshtë, u përballën me vështirësi ekstreme përgjatë rritjes së fëmijëve, duke shitur dhe gjakun e trupit për t'i parë fëmijët t'u rriten para syve.
Asnjë deputete përgjatë 30 viteve nuk propozoi kurrë që në buxhetin e shtetit të ish një zë i posaçëm për këto gra-nëna, të cilët rrisnin të vetme fëmijët e tyre, në nderim të jetës e përpjekjeve të tyre titanike, për fëmijët e tyre posaçërisht.
Një shoqëri bulliste si kjo jona, nuk i përkrahu kurrë këto gra-nëna, por i shtyu, paragjykoi e dhunoi në të gjitha format, pa dashur t'u zgjasë kurrë dorën për ndihmë!
Uroj fort që kjo zonjë, nënë e tre fëmijëve të mitur, të gjejë një avokat të mirë e t'u tregojë vendin të gjithë atyre që e trazuan, paragjykuan, dhunuan e masakruan publikisht.
Detyrim për të vegjlit e saj kryesisht e për të gjitha nënat e minorenët që gjenden të pambrojtur e pa zë në këtë vend. Ky drejtues policie nuk mund ta mbajë sërish këtë rrobë veshur!/L.F-dritare.net