"Rrëfenja e shërbëtores", thrilleri që nuk duhet humbur!
Dritare.net
Nga Ada Shehu
Review e shumëpritur erdhi! Fillimisht më lejoni ta nis duke thënë që unë besoj fuqimisht që ÇDO GJË, nga më e mira te më e keqja ndodh për një arsye! Aq shumë herë isha nisur ta blej këtë libër dhe gjithmonë më "shpëtonte" duke u zëvendësuar nga diçka tjetër. Derisa Libraria Hugo ma solli në derë të shtëpisë! Epo thashë, është momenti, duhet të lë gjithçka tjetër dhe ta nis. Dhe aq mirë bëra! Dhe në asnjë moment tjetër të jetës nuk do ta kisha shijuar aq shumë sa e shijova tani, ndaj e nisa me atë fjali. Le të flasim për librin "Rrëfenja e shërbëtores".
Siç mund ta keni kuptuar në këto muaj, mos prisni nga unë t'ju bëj atë përmbledhjen tipike që ndodhet në fund të librit. Kushdo mund të shkojë në librari dhe ta lexojë. Në këtë faqe le të flasim kryesisht për ndjesi! Ky libër më riktheu një ndjesi që e kisha harruar. Isha shkëputur pak nga librat thriller dhe e kisha harruar se çfarë ndjesie fantastike të lë leximi i një libri të tillë.
Gjatë gjithë kohës duke vrarë mendjen se çfarë po i ndodh personazhit kryesor, si ka përfunduar në atë situatë, si mund të dalë nga ajo situatë. Mendoja që, po sikur diçka e tillë të ndodhte vërtetë? Mundohesha të hyja në psikologjinë e personazheve. Si mund ta ruash shëndetin mendor duke jetuar në një realitet të tillë? Me pak fjalë, libri flet për një vend, në të cilin disa gra mbahen vetëm për të bërë fëmijë, nga disa çifte me pozitë të caktuar. Ato jetojnë si skllave, me rregulla strikte, veshje dhe ushqim të përcaktuar, dhe janë shkëputur nga çdo gjë e jetës së mëparshme. E gjitha kjo, bëhet në emër të fesë. Pushteti që manipulon masat. Libri të mban pezull gjatë gjithë kohës. Rrëfimtarja, njëra nga vajzat, tregon me detaje çdo absurditet që për të është realitet.
Si mundi të mbijetojë aty dhe a ka ndonjë rrugëdalje? Për këtë dhe më shumë, ju ftoj ta lexoni librin! Është vërtetë një klasik modern, dhe ka shumë arsye se pse janë shitur miliona kopje!/dritare.net