Rrëfim i pazakontë/ Një varr për Vandën!
Dritare.net
Nga Sevdail Hyseni
Vanda, një qenushe simpatike, ndërroi jetë në verën e këtij viti. Pronari i saj Haqif Haziri, “mbreti” i pjekurinave, siç e quajnë drejtuesin e Kompanisë “Victoria”, në Zvicër, kafshën shtëpiake, e varrosi sikur të ishte pjesëtare e familjes. Mjeku veterinar zviceran mbeti pa mend, me këtë gjest të shqiptarit nga Malësia e Bujanocit, i cili për dallim nga të tjerët, nuk e la qenushen për ta hedhur në grumbullin e ngordhjeve, por e mori dhe e varrosi në një vend të veçantë, duke i ngritur me bashkëshorten e tij, madje edhe një statujë.
Kjo qenushe me emrin Vanda, ka bashkëjetuar me ne 14 vjet, tani që ka ndërruar jetë, do ta marr në shtëpi, do ta varrosi në një vend të veçantë, sepse e meriton të ketë një varr e një statujë, si një kujtim për të mos e harruar sa të kem jetë, i tha Haqa, veterinarit të hutuar.
Veterinari zviceran i mallëngjyer e pohoi se nuk i kishte ndodhur diçka e tillë, për aq sa punon në këtë institucion, ngase njerëzit që i sjellin kafshët e ngordhura shtëpiake, nuk i kthejnë prapa në shtëpi!
Por, Haqa nuk është si të tjerët! Ai, është një burrë tipik malësor me tradita të pasura bujarie e fisnikërie. Babai i Haqës, Nezir Sula i Pribocit, një mjeshtër i përpunimit të drurit, ia mbolli dashurinë të birit, për kafshët shtëpiake, sidomos për kalin dhe qenin, miqtë tradicionalë të njeriut.
Haqa, me këtë edukatë u burrërua në Zvicër, duke ruajtur dhe zbatuar në praktikë traditën e të parëve të tij, sidomos ndjeshmërinë ndaj kafshëve shtëpiake. Ai, nuk e kishte vetëm qenushen Vanda, por edhe Timin. Dy qenushët e Haqës, ishin shembull në lagjen ku jeton në Zvicër, për kujdesin dhe dashurinë që tregon ky njeri shqiptar për botën shtazore.
E tani kur nuk është më Vanda, qenushi tjetër Timi, ndihet i pikëlluar, i vetmuar dhe i mërzitur. Ai, nuk mund të flas për të treguar mërzinë e vetminë tij për humbjen e shokut të jetës, por me instikt, reflekton një dhembshuri, që ta këput shpirtin.
Haqa e merr Timin e del për shëtitje, ashtu siç dilte dikur me të dy qenushët. Sa herë që kthehet në shtëpi pas shëtitjeve, Timi e kthen kokën prapa sikur i mungon diçka dhe lëshon një ulërimë të dhembshme e shumë rrënqethëse.
Personazhi i rrëfimit tonë, Haqif Haziri, është një njeri i mirë, jo vetëm ndaj kafshëve shtëpiake, por edhe ndaj miqve dhe shokëve, si në punë e si në veprimtari atdhetare dhe humanitare. Ai, nuk di as vetë sa para ka dhënë për nevojtarët. të pastrehët, të sëmurët, jetimët e njerëzit e kulturës. Vetëm ata e dinë se sa është dora e gjatë dhe gjepi i thellë i Haqës, për këso veprimtarish njerëzore e humanitare.
Në një takim, që zhvilluam, në qendër të Bujanocit, në pjesën e trashëgimisë kulturore të shtruar me kalldrëm e me lokale të vjetra pastiçerie, Haqa na rrëfen për miqtë e tij njerëzorë e shtazorë. Derisa pinim kafe në shoqëri me mikun tonë miqësor, afër nesh kalon një tufë qensh, prej tyre kishte të tillë të sakatosur, të gjymtuar, të zgjebosur e si mos më keq. I shikonte Haqa e na tregonte se sa këto krijesa vuajnë nga pasojat, që ua shkaktojnë njerëzit, ata lëre që nuk përkujdesen për ta, por edhe ua shtojnë dhembjet fizike dhe shpirtërore e më pas edhe vrasin, duke mos respektuar ligjin që mbron kafshët, nëse si i tillë ekziston te shqiptarët e kësaj province.
Në bisedë e sipër tha edhe diçka, që na bëri të zhytemi në mendime. Ai, tha, mes tjerash, se i ka dy parime në jetë: nëse i vdes gruaja, nuk do të martohet kurrë dhe po qe se i humb qentë, nuk do të marrë të tjerë për shtazë shtëpiake!
Kemi parë filma, që u janë kushtuar qenve dhe kemi dëgjuar rrëfime të tjera, që u janë thurur këtyre kafshëve të adhuruara shtëpiake, por rrëfimet e Haqif Hazirit, për Vandën, nuk na hiqen dot nga mendja. Themi me vete: Do të ishim më ndryshe, sikur të ketë më shumë njerëz të tillë siç është Haqif Haziri, por, mjerisht, njerëzit e tillë janë të paktë në krahasim me ata, që nuk sillen si miq, shokë e dashamirë, apo jo?!/dritare.net