Emin Haziri, nga arratisja në Kosovë tek ylli Michelin në Milano!
Dritare.net

Nga Klina e Kosovës, te Trieste, Milano, Danimarka e Franca. Nga një fëmijë që ëndërronte futbollin, tek një shef kuzhine i vlerësuar me yll Michelin dhe çmimin Forbes Under 30. Historia e Emin Hazirit është një histori guximi, pasioni dhe pune pa pushim. Një shembull për çdo të ri shqiptar që kërkon të ndjekë ëndrrën e tij.
Emin Haziri lindi në Klinë të Kosovës dhe në moshën 7-vjeçare, bashkë me familjen, u shpërngul në Itali. Në Trieste u shkollua, ku zgjodhi të ndiqte pasionin për kuzhinën, edhe pse familja donte ta shihte doktor. Me këmbëngulje nisi punën në restorante prestigjioze, në Itali, Francë dhe Danimarkë, pranë shefave të mëdhenj botërorë.

Në moshën 24-vjeçare arriti suksesin e madh: u bë shef i pavarur dhe mori yllin Michelin. Sot, ai drejton “Prokacini Milano”, një restorant Fine Dining në qendër të Milanos, me një ekip prej 12 kuzhinierësh dhe klientë nga mbarë bota.
“Edhe pse nuk u bëra doktor, siç donte mami, ylli Michelin ishte fitore për të gjithë ne,” rrëfen Haziri.

Përveç kuzhinës, ai është ftuar në programet më të njohura italiane, ka organizuar evente në Kosovë dhe është përfshirë në projekte ndërkombëtare. Filozofia e tij është e qartë: çdo detaj ka rëndësi, nga përbërësit bio e lokalë, tek shërbimi dhe prezantimi.

Mesazhi për të rinjtë shqiptarë:
“Unë jam një shembull që tregon se edhe të rinjtë mund të ndjekin ëndrrat e tyre. Jo vetëm në mjekësi apo IT, por edhe në gastronomi. Ne shqiptarët jemi punëtorë dhe krijues. Kur jemi bashkë, mund të arrijmë shumë.”/dritare.net