Mami donte të bëhesha doktor, por unë i çova yllin Michelin! Historia e shefit shqiptar, Emin Haziri!
Dritare.net

Historia e Emin Hazirit, djalit nga Klina e Kosovës që sot gatuan në zemër të Milanos, është një udhëtim i vërtetë frymëzimi. Në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTV, ai rrëfeu me emocion gjithë rrugëtimin e tij, nga arratisja nga Kosova, tek kuzhinat më prestigjioze të Evropës, deri te triumfi me Yllin Michelin.
Nga Klina në Trieste: “U nisëm për një jetë më të mirë”
“Unë jam nga Klina e Kosovës. Babi e mami kishin dëshirë që të na dërgonin diku për një jetë më të mirë,” tregon Emin Haziri.
Familja vendosi të mos qëndronte në Kosovë, duke e ditur se jashtë mund të gjenin më shumë mundësi për fëmijët. “Kur kemi ardhur në Itali, unë isha 7 vjeç. Shkuam direkt në Trieste, ku qëndruam dhe u shkolluam.”
I vogël, me valixhe plot ëndrra, Emin do të gjente në Itali jo vetëm një shtëpi të re, por edhe pasionin e jetës së tij.
Pasioni për kuzhinën që sfidoi dëshirën e nënës
Në Trieste, pasioni i tij për kuzhinën nisi të rritej çdo ditë. “Në fillim kisha dy ëndrra: ose të bëhesha futbollist, ose kuzhinier,” kujton ai.
Por familja kishte plane të tjera. “Kur i thashë mamit që doja të bëhesha kuzhinier, ajo më tha: ‘Jo, kjo nuk është një shkollë e mirë.’ Ata donin që të bëhesha doktor, siç ëndërronin edhe të tjerët në familje.”
Megjithatë, Emin nuk u dorëzua. “Unë këmbëngula për kuzhinën, sepse ajo ishte pasioni im. Dhe nuk mund të hiqja dorë nga ajo që doja më shumë.”
Nga Trieste në kuzhinat më të mëdha të Evropës
Pas shkollës së kuzhinës në Trieste, ai nisi të punonte në restorante të njohura në Itali, duke mësuar nga shefat më të mirë. Por ambicia e tij shkonte më tej.
“Desha të provoja diçka më shumë, të arrija majat. Nga Kosova në Trieste, pastaj desha të shkoja edhe më larg,” tregon Emin.
Ai punoi në restorante me Yll Michelin në Itali, në Danimarkë, në një nga restorantet më të mira në botë dhe në Francë, në një restorant me tre yje Michelin. “Kur mbusha 24 vjeç, kisha përvojë në disa nga kuzhinat më të njohura botërore.”

Restoranti i tij në Milano dhe ylli Michelin
Në moshën 24-vjeçare, Emin mori guximin më të madh: hapi restorantin e tij në Milano, “Procaccini Milano”, një Fine Dining që sot vizitohet nga turistë, biznesmenë, madje edhe futbollistë e këngëtarë të njohur.
“Në restorantin tim, çdo detaj është i menduar: nga pjata, te porcelani, shërbimi, përbërësit bio dhe të freskët,” shpjegon ai.
Punë, disiplinë dhe inovacion, kjo filozofi i solli suksesin që shumë shefa ëndërrojnë: marrjen e një Ylli Michelin.
“Nuk është e lehtë të marrësh një yll Michelin. Duhet standard shumë i lartë, organizim, inovacion dhe cilësi absolute,” thekson Emin.
Ky moment ishte një fitore jo vetëm për të, por edhe për familjen që dikur ëndërronte një doktor në shtëpi. “Edhe pse nuk u bëra doktor, siç donte mami, ylli Michelin ishte një fitore e madhe për të gjithë ne.
Nga Michelin në Forbes Under 30
Suksesi i tij nuk u ndal vetëm te kuzhina. “Kam marrë çmimin Forbes Under 30, që më dha shumë vizibilitet dhe më hapi dyer të reja,” tregon ai me krenari. Ky vlerësim e futi Eminin në listën e të rinjve që po ndryshojnë botën me talentin e tyre.

Nga kuzhina në ekranin e RAI 1
Fama e tij e çoi edhe në mediat më të njohura italiane. “Kam pasur fatin të ftohem në programet më të mëdha italiane. Në RAI Uno, çdo të shtunë gatuaj një recetë, Kjo më dha edhe më shumë famë,” tregon ai.
Nga një djalë i vogël shqiptar që filloi me “minus zero”, Emin u shndërrua në një figurë të njohur të gastronomisë italiane.
Në fund, ai ka një mesazh të fuqishëm për të rinjtë shqiptarë!
“Ne u nisëm nga Kosova me zero, madje me minus zero. Por me punë, pasion dhe besim, çdo ëndërr mund të bëhet realitet. Ne shqiptarët jemi njerëz punëtorë, familjarë, patriotë. Kur jemi bashkë, mund të arrijmë shumë.”/K.C/dritare.net