Na ndiqni edhe në

Shqip

Teza e gabuar që kërkonte të zhvendoste prejardhjen e shqiptarëve. Flet historiania e gjuhës!

Teza e gabuar që kërkonte të zhvendoste prejardhjen e

Historiania e gjuhës Mimoza Kore në Shqip nga Rudina Xhunga tregoi disa teza të historianëve të huaj, të cilët kanë folur mbi prejardhjen e shqiptarëve dhe gjuhës shqipe.

Zonja Kore u shpreh një ndër tezat e gabuara për shqiptarët nga studiues gjerman, ka qenë se shqiptarët janë vendosur fillimisht në qytetin e Remesjanës, mes Maqedonisë së Veriut, Jugut të Serbisë dhe Bullgarisë.

“Nuk duhet të flasësh pa fakte, kur thua e duam shqipen, se është e lashtë. Si e vërteton ti që shqipja e lashtë? Padyshim këtu hyjnë ato makrotoponimet, mikrotoponimet, hidronimet, emrat e ujërave, të cilat janë gjetur në mbishkrime greke dhe latine, me to studiuesit, kanë parë se si kanë evoluar sipas rregullave fonetike të gjuhës shqipe. Pa to nuk i studion dot, ndaj kërkon një përgatitje të mirë shkencore. Autoktonia duhet të sqarohet në rrafshin historik, nuk e zgjidh vetëm gjuhësia. Por në hierarkinë e gjithë njësive, gjuha shqipe zë vendin e parë, përveç arkeologjisë dhe gjenetikës që ndihmon shumë. A jemi autoktonë, do vërtetohet pikërisht me fakte gjuhësore. Vetë fjala autoktoni vjen nga greqishtja, por për asnjë popull nuk mund të flitet për autoktoni absolute, që kur është krijuar bota. Popujt kanë lëvizur për arsye të ndryshme, por një popull quhet autokton, në trojet e tyre, që nga periudha greko-romake. Pikërisht këtu përqendrohet dhe gjuhësia, ndërsa tezat janë të ndryshe.

Një nga tezat që në studiojmë është ajo e Nobert Joklit, që e ka dashur shqipen shumë, pranon tezën ilire, por për autoktoninë, mendon se djepi i hershëm i shqiptarëve ka qenë Dardania, Kosova e sotme dhe një pjesë e Maqedonisë së Veriut. Ky është një territor i ngushtë në fakt, ai argumentonte se në Dardani takoheshin fiset Ilire me ato Trakase, aty ndikimi grek është më i vogël. Ky është përmendur si argument që kundërshtojnë tezën ilire, huazimet nga greqishtja e vjetër në shqipe janë të pakta. Dardania është një zonë që u prek nga romanizmi. Vetë Jokli iu kthye kësaj teze dhe futi edhe pjesën e bregdeti, trevat që jemi sot, u quajt teza e autoktonisë. Por profesor Eqrem Çabej pavarësisht se e kishte idhull Joklin, i bëri kritikë, se kjo është zonë shumë e ngushtë, dhe shqiptarët nuk mund të jenë shtrirë aty.

Mbas Nober Joklit del një tjetër studiues gjerman Georg Stadmuller, i cili mendonte që djepi i hershëm i shqiptarëve ka qenë krahina e Matit, meqë është një krahinë mes maleve dhe ka pasur disa huazime sllave dhe sipas tij aty jetuan të parët e shqiptarëve dhe kur u erdhi ora e historisë dolën nga andej, edhe në formën e barinjve shtegtarë mbushën bregdetin. Kjo është një tezë jashtëzakonisht e gabuar dhe me pak prapavijë. Teza e tij u quajt "Teza e shpërthimit të bombës demografike". Një tjetër historian, po tjetër gjerman, në librin e tij nxori në vitin 1994, ku thotë në të, krishterimi i shqiptarëve, konvertimi i fisit të Bejsve. Është një libër që përsëri kërkon që t’i shpjerë shqiptarët me djepin e tyre në lindje. Cakton edhe një vend dhe nga cili fis trakas vijnë shqiptarët. Cakton qytetin e Remesjanës, që është një vend mes Maqedonisë së Veriut, Jugut të Serbisë dhe Bullgarisë, aty paska qenë një fis i bejsve, ku shqiptarët filluan të marrin fenë e krishterë, dhe u dyndën më pas në bregdet. Erdhën aty dhe u konvertuan, ku morën emrat, arbanët, arbër, një tezë jashtëzakonisht e gabuar. Madje ai thotë që erdhën edhe të ndarë në dialekte, por të paktën që kur shqipja del nga nëna e saj, shekulli IV dhe V, filluan dhe të shfaqeshin tiparet e dialektit. Albanologjia dhe historianët e anashkaluan dhe nuk i kushtuan vëmendje, përveç Eqrem Çabejt, i cili thotë të jemi objektiv por jo indiferent kur të tjerët na sulmojnë. Ishte i vetmi që i dha një përgjigje, tezës”, tha historiania./M.K-dritare.net