Na ndiqni edhe në

Opinione

Kyriakos Mitsotakis: Në politikë nuk ka miq, jam më mirë me 3 qentë e mi

Kyriakos Mitsotakis: Në politikë nuk ka miq, jam më mirë me

Nga Pavlos Papadopoulos

Një pikturë e Virgjëreshës Mari dhe Fëmijës e Konstantinos Parthenis, që kombinon një ndjenjë devotshmërie me format fluide të artit modern, e vështron çdo ditë kryeministrin Kyriakos Mitsotakis teksa punon për zgjidhjen e problemeve të qeverisjes.

“Është Virgjëresha në një version modern. Kjo pikturë përfaqëson historinë e Greqisë moderne”- thotë ai. Por ajo mund të simbolizojë edhe historinë e partisë së tij Demokracia e Re, një kombinim i klasikes dhe modernes, i të djathtës ekstreme dhe asaj të qendrës, i mjeteve novatore të qeverisjes dixhitale dhe i gardheve me tela me gjemba në kufirin më Turqinë në Evros, e shkallës së investimeve dhe universiteteve private.

Në fakt, është një pikturë që nxit shumë interpretime. Por çfarë do të thotë për vetë kryeministrin? A mos vallë ai po kërkon ai një bekim hyjnor apo është një synim i dyfishtë, duke u shtrirë drejt të djathtës liberale dhe fetare? Në zyrë ekzistojnë disa objekte të caktuara që Mitsotakis i ka shumë të dashura, dhe këtu nuk përfshihen vetëm rruzaret e lutjes që ai mban shpesh në kyçin e dorës.

Gati çdo gjë që mban (si për shembull ora e tij) ka një vlerë sentimentale. “Janë dhurata nga familja ime”, thotë ai. Gjithsesi Mitsotakis të jep përshtypjen se dëshiron të shmangë fatin nga gjithçka që bën. Ai dëshiron që të gjitha iniciativat dhe arritjet e tij, t’i atribuohen arsyes dhe punës së palodhur.

Por kjo është vetëm gjysma e së vërtetës, sepse fati është diçka që ai e respekton. “Është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe nuk mund ta përjashtosh plotësisht”- nënvizon ai. Kritikët e tij thonë se ai ka qenë me fat; mbështetësit e tij e duartrokasin atë që bëri fatin e tij. Besëtytët e akuzojnë se i ka sjellë fat të keq vendit (pandemi, luftëra dhe kriza). Racionalistët kundërpërgjigjen, duke thënë se ai e përballon çdo krizë më mirë se kushdo tjetër. Pavarësisht se është sulmuar nga shumë grekë se është një xhind (diçka me të cilën ai është tallur në një video të TikTok), ai ka dëshmuar 5 vitet e fundit se xhindet janë tërësisht mbi kokat e rivalëve të tij.

Gjithsesi, a mban ai një hajmali të fshehtë? “Edhe sikur ta kem, mendoni se do t’ju tregoja?”-më pyet ai. Më vonë, lë të kuptohet se kryqi që mban në qafë, mund të jetë fare mirë ajo hajmali. Kryeministri e pranon se ai është një njeri i numrave. “Unë besoj shumë në fuqinë e të dhënave dhe në vlerën e analizës logjike. Prandaj këmbëngul kaq shumë tek sistemet e vlerësimit dhe matjes, dhe këtu nuk kam parasysh vetëm sondazhet”- thotë ai.

Madje Mitsotakis ka studiuar punën e paraardhësve të tij, duke u fokusuar tek gabimet e tyre që të mos i përsërisë. Megjithatë, asnjë volum studimi nuk mund t’ju përgatisë për të qenë kryeministër. Në nëntorin e vitit 2022, vetëm dy muaj pasi Giorgia Meloni ishte zgjedhur kryeministre e Italisë, ajo e pyeti homologun e saj grek gjatë një bisede të rastësishme në Bruksel:“Kyriakos, a do të jetë gjithmonë kaq e vështirë?”.

“Giorgia, do të bëhet shumë më e vështirë, përpara se të bëhet më e lehtë”- iu përgjigj ai. Vetëkontrolli legjendar i Mitsotakis, ka qenë i njohur edhe për ndërprerjet e tij. Madje si kryeministër është bërë i famshëm për ngritjen e zërit. Ai ushtrohet fizikisht çdo ditë, konsumon vetëm 7 kokrra bajame për mëngjes, në përgjithësi ha shumë pak dhe merret me tenis, futboll dhe basketboll.

Kur fëmijët janë larg, nuk e fik telefonin. Ndërsa kur janë në shtëpi e fik në mbrëmje, dhe për raste urgjente komunikon një linjë telefonike të posaçme. Deri më sot Kyriakos Mitsotakis ka qenë në pushtet më shumë se babai i tij i ndjerë. Çfarë tjetër do të dëshironte të arrinte? “Nuk po përpiqem të thyej asnjë rekord, por ndonjëherë historia bën që aftësitë e një politikani të përkojnë me nevojat e shoqërisë”- thekson ai. Kur ishte në krye të opozitës, thoshte se dy mandate, 8 vite, ishin të bollshme. Tani po shkon drejt 12 viteve dhe nuk ka ndërmend të largohet.

“Do të doja të shihja Demokracinë e Re të fitonte zgjedhjet në 2027, padyshim me mua në krye”- shprehet ai. I ati, Konstantinos Mitsotakis shërbeu në parlament deri në vitin 2004 në moshën 85 vjeçare. A do të qëndrojë Kyriakos të paktën deri në 75 vjeç, deri në 2043? Ai përgjigjet:”Do të përjashtoja mundësinë e të qenit në politikë pas 20 vjetësh. S'kam asnjë interes të qëndroj në skenën politike pas mbylljes së ciklit si kryeministër”.

Ndoshta ky cikël po mbyllet më herët? A ka ndonjë shans që ai të largohet në vjeshtë, siç sugjerojnë zërat se ai është një nga emrat që po konsiderohen për presidencën e Komisionit Evropian nëse nuk rizgjidhet Ursula von der Leyen? Mitsotakis thotë se ky propozim do të ishte një nder për vendin dhe atë personalisht, por ai do të refuzonte.

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian, janë vetëm pak ditë larg dhe kostoja e lartë e jetesës mbetet një çështje e nxehtë. Mitsotakis beson se ky është një tjetër problem që përtej masave specifike të qeverisë (rritje rrogash, inspektime tregu etj) mund të ketë edhe një zgjidhje evropiane.

Ai sugjeroi të njëjtën gjë në një letër të fundit drejtuar Ursula von der Leyen, duke rekomanduar hiqjen e kufizimet gjeografike për furnizuesit me pakicë. Dikur presidenti amerikan Harry S.Truman tha se nëse do një mik në Uashington, atëherë merrni një qen.

A e shqetëson Kyriakos, fakti që vetëm një qen mund të konsiderohet si mik nga një njeri në pozicionin e tij? “Unë kam tre qen, dhe ata nuk janë miqtë e mi të vetëm. Unë kam miq, por ata nuk janë të përfshirë në politikë. Besoj se kur të largohem nga politika, mund të bëhem mik shumë i mirë me disa nga bashkëpunëtorët e mi. Por tani është shumë e vështirë të jesh mik, kur në marrëdhënie ka një hierarki”- thotë Mitsotakis.

Të qenit në pushtet mund të duket magjepsëse për njerëzit nga jashtë. Por që janë brenda e dinë se nuk është e lehtë. Disa thonë gjithashtu, se të jesh në pushtet do të thotë të jesh vetëm. “Po, në pushtet je i vetmuar. Megjithatë unë jam me fat që kam bashkëpunëtorë të shkëlqyer, një familje të mrekullueshme dhe miq shumë të mirë. Ndaj nuk jam ndjerë kurrë aq i vetmuar sa disa politikanë të tjerë”- thotë kryeministri grek. Ai shton se është gjithashtu e rëndësishme që pushteti të mos të të dehë.

“Duhet të jesh me këmbë në tokë dhe realist. Gruaja ime Mareva, dhe e gjithë familja më ndihmojnë shumë në këtë drejtim”- thotë ai, duke pranuar një të metë që ka të bëjë me kritikat . “Nuk kam qenë shumë i mirë në pranimin e kritikave, dhe kjo është diçka për të cilën jam duke punuar për ta ndryshuar”- deklaron ai.

Ndër synimet kryesore të tij në këtë mandat, është ndryshimi i disa pjesëve të Kushtetutës greke, për të cilën diskutime do të nisin vitin e ardhshëm. Grekët fetarë janë veçanërisht të shqetësuar për planet e tij mbi Nenin 3, i cili lidhet me marrëdhëniet ndërmjet kishës dhe shtetit.

Të djathtët janë të shqetësuar edhe për ligjërimin e martesës së homoseksualëve. Unë e pyes:A ishte vendimi i Mitsotakis për të kandiduar Fredi Belerin, kryebashkiakun e Himarës në Shqipëri, aktualisht në burg, në listën e Demokracisë së Re për zgjedhjet evropiane, për të qetësuar votuesit ultra-konservatorë?

Por kryeministri e hedh poshtë këtë tezë, duke thënë se ishte një vendim tejet politik, një akt i njohjes së rëndësisë që ai i kushton minoritetit etnik grek, duke kandiduar një njeri që sipas tij është trajtuar shumë padrejtësisht nga shteti shqiptar. Kryeministri grek, është i shqetësuar nga ato që i quan turbullirat e fundit në Ballkan.

Çfarë planifikon të bëjë ai nëse presidentja dhe qeveria e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë ta quajnë vendin e tyre “Maqedoni”? “E kam thënë prerazi që në fillim, se qëndrimi i presidentes dhe qeverisë së re të vendit fqinj është i paligjshëm, i papranueshëm dhe provokues. Kjo pikëpamje ndahet edhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Mënyra sesi do të sillet Shkupi, do të përcaktojë gjithashtu rrugën e vendit drejt Evropës dhe përparimin e saj, gjë që besoj se e dëshirojnë njerëzit e atij vendi. Megjithatë kjo rrugë kalon nga Athina”- thotë Mitsotakis.

A është Greqia e përgatitur të vërë veton ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për në BE? “Shqipëria po përballet me probleme në shtetin ligjor dhe demokracisë duke mbajtur në burg kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin. Edhe udhëheqja e re e Maqedonisë së Veriut, është duke shkelur një marrëveshje ndërkombëtare.

Mënyra se si ne zgjedhim të lëvizim diplomatikisht, nuk mund të jetë temë e një diskutimi të parakohshëm në publik. Besoj se fqinjët tanë, do ta kuptojnë së shpejti se zhvillimi i tyre varet nga bashkëpunimi me Greqinë”- thotë ai. Mitsotakis thotë se problemet me Turqinë, mbeten të mëdha, por është i kënaqur që kohët e fundit Erdogan ka treguar vullnet për të ulur tensionet./Përshtati 'Pamfleti' nga “Kathimerini”