
Projekti për Vjosën. Ja si do të jetë qendra multifunksionale!
Dritare.net
Parku Kombëtar “Lumi Vjosa” do të ketë Qendrën Multifunksionale dhe Stacionet e Informimit. Ky projekt do të zbatohet nga studioja projektuese daneze “CEBRA A/S & Arup International Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO”.
Projekti i dizajnit të grupit “CEBRA A/S & Arup Internatioonal Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO” fituese u vlerësua si më afër zgjidhjeve arkitektonike në harmoni të plotë me natyrën dhe peizazhin si dhe për nxjerrjen në pah të vlerave natyrore, kulturore, trashëgiminë e historinë e zonës.
Gjatë fjalës së saj në prezantimin e projekteve finaliste, ministrja Kumbaro u shpreh se kjo qendër do të shërbejë si portë hyrëse e vizitorëve të parkut dhe do t’i pajisë ata me gjithë informacionin e nevojshëm për një përvojë gjithëpërfshirëse në të.
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në takim u shpreh se ky projekt do të hapë një shteg për perspektiva të reja që lidhen me përmirësimin e jetesës së komuniteteve që jetojnë pranë Vjosës.
Në konkursin e lançuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, me mbështetjen e Patagonia dhe IUCN morën pjesë 16 studio vendase dhe të huaja.
Lumi i Vjosës, si lumi i fundit i egër në Europë, u shpall në mars të këtij viti nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “park natyror”./L.F-dritare.net

















