
Si quhet një qytet, ku të trajtojnë si mbret? Përmet, quhet Përmet! Qyteti që bën turizëm të qëndrueshëm, sepse të tillë janë njerëzit e atij vendi, mikpritës në çdo stine. Përmeti i Vjosës, glikove, lumit te egër dhe fjalës së ëmbël, ia doli.
Këtë e tregojnë jo vetëm shifrat e turistëve të cilët vetëm deri në gusht i kanë kaluar mbi 100 mijë vizitorë, por edhe fakti që çdo fshat në Përmet tani ka një shtëpi pritëse.
Edjon Maliqi, përgjegjës turizmi shoqëroi gazetaren e Dritare TV Marina Kërçeli në turin e xhirime në të gjithë qytetin.
“Emblema e qytetit është Frashëri. Ne kemi shtëpinë muze të vëllezërve Frashëri, një nga vlerat më të mëdhaja që Shqipëria ka. Përmeti i ka të gjitha, natyrën kulturën, traditën, kulinarinë, historinë dhe mikpritjen.
Një nga kishat më të bukura që ka Shqipëria, ndodhet në Përmet. Është kisha e Leusës, një prej atraksioneve turistike në vend.
Këtë vit kemi pasur një rritje prej 35% të turistëve.
Deri në gusht kemi pasur 110 mijë turistë. Kjo vihet re edhe nga strukturat pritëse të cilat janë gjithnjë e në rritje. Tashmë në Përmet nuk ka asnjë fshat pa një bujtinë apo shtëpi që është kthyer në vend pritës për turistët në çdo stinë të vitit”, tregon Maliqi për Dritare TV./L.f-dritare.net

















