Na ndiqni edhe në

Albania All Inclusive

Prespa e Vogël, thesari i fshehur i Korçës!

Prespa e Vogël, thesari i fshehur i Korçës!

Po udhëton drejt Korçës? Mos e humb rastin të ndalosh pranë liqenit të Prespës së Vogël — një destinacion ende pak i njohur, por që fsheh një bukuri të rrallë. Stafi i Dritare TV e vizitoi këtë liqen për ta eksploruar me kajak, mënyra më e qetë dhe ekologjike për të zbuluar mrekullitë e tij natyrore.

Edhe pse shpesh është raportuar se Prespa e Vogël është tharë dhe është kthyer në moçal, në të vërtetë ajo vazhdon të jetojë. Mjafton të guxosh të futesh mes kallamave të gjelbër, për të zbuluar një peizazh plot jetë dhe qetësi.

Gjatë udhëtimit me kajak, syri do të të ndalet patjetër te zambakët e ujit, lulet më të rralla dhe më të hijshme që zbukurojnë sipërfaqen e liqenit. Këtu gjenden dy lloje: zambaku i bardhë (Nymphaea alba L.) dhe zambaku i verdhë (Nuphar lutea L.).

Emri “zambak” vjen nga fjala Nymph – “Nimfë”, që në mitologjinë e lashtë nënkupton një shpirt femëror të ujërave të pastra. Për shkak të formës dhe elegancës, kjo lule është përmendur që në kohët e Egjiptit të lashtë si simbol i jetës dhe rilindjes. Edhe sot, fjala “nimfë” përdoret për të përshkruar gra të hijshme dhe delikate.

Zambaku i ujit është thesari më i çmuar i Prespës së Vogël. Ai çel në mëngjes dhe mbyllet në mbrëmje, duke u zhytur nën sipërfaqe. Rritet në ujë me thellësi deri në 1.5 metra, dhe lulëzon nga qershori deri në shtator, kur uji është më i ngrohtë. Jo rastësisht, ai përfaqëson pastërtinë, pafajësinë, shpresën dhe paqen — sepse, ndonëse rrënjët i ka në baltë, mbetet gjithmonë i papërlyer dhe i bukur.

Zambaku i ujit ka frymëzuar legjenda të shumta, sepse fara e tij mund të mbijetojë për mijëra vjet pa ujë dhe të lulëzojë sërish pas shekujsh.

Nëse do ta përjetosh nga afër këtë magji, vizito Prespën e Vogël. Aty, mes ngjyrave të bardha dhe të verdha të zambakëve që notojnë mbi ujë, do të ndjesh qetësinë dhe përjetësinë e natyrës — një kujtim që s’zhduket kurrë./dritare.net