Tradita e Kelmendit! Si gatuhet djathi i ziem!
Dritare.net
Dikur në Kelmend i hapnin derën çdo miku. Derisa miqtë, sidomos të huaj u shtuan shumë. Të gjithë ishin kureshtarë për zonën, nga më të bukurat në Shqipëri. Miqtë priteshin e përcilleshin, si miq. Siç e donte tradita. Derisa një prift i mësoi vendasit që traditën ta kthenin në biznes.
Kështu nisi historia e bujtinave të para të zonës, ku ndalonin turistët dhe paguanin çmime të lira për ushqim e dhomë. Por siç tha prifti, njerëzit duhet të paguajnë për çfarë ju ofroni. Sepse ju duhet të jetoni. Dhe tradita nuk të ushqen. Por nëse tradita kthehet në biznes, jo vetëm të ushqen por dhe të pasuron.
Vetëm kur kthehet në markë, një produkt mbijeton në të gjitha kohërat. Lindita Shabaj tregon përDritareTv si bëhet djathi i ziem dhe si serviret:
“Djathi i ziem është traditë e jona. Tipike e zonës së Kelmendit. E kemi trashëguar brez pas brezi, prej shekujsh. Djathin e ziem e gatuanim për miq të veçantë. Zakonisht në raste festash sepse kërkon jo vetëm kosto, por edhe kohë.
Duhet qumështi i lopës, i pa zier. Qumështi bëhet djathë. Dhe lihet në një dërrasë për 2-3 ditë të thahet në diell. Pasi qëndron në diell për disa ditë, pastaj gatuhet në tigan. Thërrmohet dhe gatuhet në zjarr dalëngadalë, derisa të shkrihet e zgjatet, kur e prek me lugë.
Serviret në pjata druri dhe shoqërohet me mjaltë lulesh Kelmendi", - shpjegon Lindita, ndërsa Rudina shton: Epo mburren francezët për djathin në fund të ushqimit, ja Kelmendi, djathë me mjaltë ka pasur në shekuj! Dhe çfarë djathi!