Mjaft me këto xhirime Hollivudi, por ulemi të reformojmë shëndetësinë!
Dritare.net
Nga Drilon Çupi, mjek urgjence në Gjermani
Mënyra totalitare, propaganduese, e arrestimit të një punonjësi të shëndetësisë në Republikën Parlamentare të Shqipërisë!
Edhe pse kanë kaluar më shumë se 30 vite nga rrëzimi i sistemit më famëkeq komunist në Shqipëri, mentaliteti i drejtuesve të institucioneve të caktuara shtetërore vazhdon të ndjekë mekanizmat e sistemit komunist, me anë të përdorimit të forcës së terrorit, propagandizmit në sytë e popullit, diskriminimit dhe poshtërimit të personalitetit dhe dinjitetit të një individi në sytë e shoqerisë.
Keto janë metodika që historia e ka vërtetuar që nuk kanë sjellë asnjë përfitim në rregullimin e sjelljes së një shoqërie njerëzore dhe prandaj sistemi komunist- totalitar dështoi si formë qeverisje për shoqërinë njerëzore. Ky fakt është i vërtetuar gjithashtu edhe në Shqipëri, që aplikimi i këtyre metodikave nuk ka sjellë përmirësim të sistemit shëndetësor në veçanti apo të gjithë botëkuptimit të sistemit në përgjithësi. Arrestimi i një personeli mjekësor ka qenë në mënyrë intermitente në Shqipëri dhe si përfundim nuk ka sjellë aspak ulje të rryshfetit apo përmirësim të sistemit shëndetësor në Shqipëri.
Një mjek dhe një infermier janë personalitete me një shkollim të lartë në shoqërinë e Republikës së Shqipërisë dhe nuk mund të shoqerohen nga policë me maska dhe me "Jepp" të zinj në ambjentet e izolimit për një rryshfet që mund të kenë kryer në flagrancë. Ato nuk janë elemente shoqërorë teë rrezikshëm që të meritojnë një sjellje të tillë. Ekzistojnë metodika policore-ligjore më të qyteteruara për ndjekjen e tyre penale dhe arrestimin e tyre. Dinjiteti dhe personaliteti i një njeriu është shumë i shenjtë dhe i paprekshëm, nga një shtet që e quan veten demokratik dhe që i përket shekullit të ri.
Çfarë mëson shoqëria shqiptare nga një skenar i tillë?
1- Studentët e mjeksisë që e kishin në plan të ushtronin profesionin e mjekut në Shqipëri, do mendojnë largimin e tyre të menjëhershëm
2- Mjekët profesionistë që ushtrojnë profesionin e tyre në sistemin shtetëror do mendojnë largimin në sistemin privat shëndetësor ose largimin nga Shqipëria
3- Të rinjtë do i kritikojnë prindërit që, si të bësh një universitet edhe sikur mos të bësh, të njëjtën sjellje kanë nga Policia e Shtetit, dhe që nuk ia vlen të harxhosh 6 vite studimi në Mjekësi apo 5 vite në Infermieri
4- Personat me precendetë penalë do buzëqeshin kur të shohin pamjet dhe do rekrutojnë edhe më shumë të rinj shqiptarë përqark tyre, pasi fundi është i njëjtë për të dyja palët, në burg
5- Pacienti shqiptar do trajtohet ose nga sistemi i shtrenjtë financiar privat ose do lëngojë në ambjentet e sistemit shtetëror nga mungesa profesionale, kushteve elementare spitalore
6- Nëse Gjykata do i shpallë të pafajshëm personat e arrestuar ose me një gjobe financiare ndaj shtetit, kush do paguajë për rehabilitimin e diskriminimit te tyre në sy të shoqërisë?
7- Nuk është burgimi alternativa e duhur për edukimin e një popullate, por metodat parandaluese edukative që elementet e shoqërisë mos të bien deri në pikën e burgimit
8- Ashtu si dhe vende të tjera të Ballkanit, edhe Shqipëria është aktualisht nën hemorragjinë e largimit të njerëzve profesionistë dhe për këtë gjë nuk është vetëm rroga e ulët fajtori i vetëm, por shumë elemente të tjerë jetësorë si siguria e jetës, pronës, dinjitetit, etj që në Kushtetutën e një shteti demokratik janë të shkruara me shkronja të arta
9- Çdo njeri duhet të jetë i barabartë përpara ligjit dhe të ndalohet seleksionimi i zbatimit të ligjit në një shoqëri. Ajo çka dallon bashkëjeteseën e njerëzve me kafshët, janë ligjet dhe rregullat.
10- Rryshfetin tek ambjentet spitalore nuk do e ndalojnë keto skena propaganduese poshtëruese por ndryshimi rrënjësor i një sistemi të kalbur komunist shëndetësor në Republikën Parlamentare të Shqipërisë që me kalimin e kohës bien viktima pjestarë të personelit mjekësor.
Ju lutem mjaft më me këto xhirime Hollyëoodi, por uluni seriozisht dhe rikonfiguroni SISTEMIN shëndetësor që ka 30 vite që lëngon përtokë për fajet e drejtuesve në vite me radhë me mentalitet komunist egocentrik dhe që po vuajnë kronikisht pjestareët e tij dhe pacientët shqiptarë./dritare.net