
Tërmeti i fortë në Stamboll, zgjoi kujtimet e lëkundjeve vdekjeprurëse të vitit 1999
Dritare.net
Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 6.2 ballë të shkallës Rihter që tronditi Stambollin pasditen e sotme, si dhe pasgoditjet e forta që pasuan, zgjuan kujtime dhe frikë te banorët e Turqisë Perëndimore.
Vlen të përmendet se pas lëkundjeve fillestare në brigjet e Silivrit, në Detin Marmara, dhjetëra lëkundje të tjera janë regjistruar në të njëjtin vend, sipas Agjencisë Turke të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), ku më i madhi prej tyre ishte 5.9 të shkallës Rihter, pak minuta pas atij 6.2. Në të njëjtën kohë janë regjistruar edhe pasgoditje me magnitudë 4.9, 4.8, 4.5 dhe 4.4 ballë.
Në përditësimin e fundit të ofruar nga ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya, ai deklaroi se tërmeti i madh 6.2 Rihter zgjati 13 sekonda, ndërsa deri në orën 15:15 kishin ndodhur gjithsej 51 pasgoditje. Në të njëjtën kohë, shërbimi i urgjencës ka marrë mbi 6100 telefonata, kryesisht për informacion.
Ndërkohë, sipas autoriteteve turke mund të mos ketë raportime për dëme materiale apo viktima, por tregues i panikut që ka mbizotëruar është se rreth 150 persona kanë pësuar lëndime të lehta kur janë hedhur nga lartësia për t'i shpëtuar ndërtesave ku ndodheshin.
Mijëra njerëz dolën në rrugë në panik, thanë gazetarët e AFP. Në qendër të qytetit, shumë njerëz u mblodhën në parqe dhe të tjerë u ulën në pragjet e shtëpive të tyre ndërsa pasgoditjet vazhduan të ndiheshin. Disa dyqane u mbyllën pas tërmetit që tronditi anën evropiane të qytetit, ndërsa siç njoftoi Ministria turke e Arsimit, shkollat dhe universitetet në Stamboll do të qëndrojnë të mbyllura, për arsye sigurie të enjten dhe të premten.
Tërmeti ngjalli kujtimet e tërmetit vdekjeprurës të vitit 1999 pranë Stambollit që vrau 17,000 njerëz. Stambolli jeton me frikën e një "Megatërmeti" pasi disa ekspertë parashikojnë një tërmet prej të paktën 7 të shkallës Rihter deri në vitin 2030, i cili do të shkaktonte shembjen e pjesshme ose totale të qindra mijëra ndërtesave.
Në shkurt 2023, Turqia juglindore përjetoi tërmetin më shkatërrues në historinë e saj moderne, i cili vrau të paktën 53,000 njerëz, rrafshoi qytete dhe shkatërroi monumente historike./K.C/dritare.net

















