Gazetarja e Sky News, Yalda Hakim hyri brenda burgut më famëkeq në Siri. Burgu i quajtur "Thertorja e njerëzve", ishte burgu në të cilin mbaheshin njerëzit deri në rënien e regjimit të Asadit.
Gazetarja zbuloi një dhomë torture si dhe kushtet në të cilat jetonin njerëzit që vuanin dënimin në këtë burg. Grupet e të drejtave të njeriut prej vitesh kanë raportuar për abuzimet në veri të Damaskut duke paralajmëruar për krimet që kanë ndodhur atje.
Pas sulmit të forcave rebele në kryeqytetin sirian në fillim të këtij muaji, dhe çlirimit të të burgosurve, mijëra sirianë janë grumbulluar këtë javë në kërkim të të afërmve të zhdukur.
"Ka pothuajse dy duzina burgje të shpërndara në të gjithë vendin, por ky është ai që lidhet me brutalitetin dhe torturën e regjimit,"- raporton gazetarja
"Ata kishin qese plastike plot me urinë, sepse nuk mund të shkonin në tualet. Nëse ata ishin lejuar të përdornin ndonjë tualet, u jepeshin vetëm disa sekonda. Ata ishin të detyruar të kryenin nevojat e tyre dhe të hidhnin qeset plastike në qoshe të qelive."- tregon gazetarja e Skynews
Ajo gjithashtu ka përshkruar se si të burgosurit ndaloheshin, torturoheshin dhe ndonjëherë ekzekutoheshin brenda burgjeve.
Dhoma e torturës dukej e izoluar dhe kishte një ventilator, ndoshta për të shpërndarë ajër të ftohtë, gaz ose nxehtësi në dhomë. Më pas, ajo raportoi pranë një makine shtypëse, në të cilën thuhet se të burgosurit ishin futur me forcë dhe ishin shtypur deri në vdekje.
“Ka zëra që thonë se rojet e Asadit kishin krijuar një labirint tunelesh, ku kishin varrosur disa nga të burgosurit thellë nën tokë. Kur ecni jashtë, shihni gropa kudo, ku njerëzit janë përpjekur të gërmojnë tokën për të parë nëse mund të gjejnë dikë. Kur rebelët erdhën dhe morën kontrollin e këtij burgu, ata thanë se njerëzit as që mund të mbanin mend se kush ishin. Nuk i mbanin mend emrat, pasi kur hynin në burg, rojet e burgut u thoshin se ishin numra, jo emra. Shumë nga ata kishin harruar se kush ishin, sepse ishin mbajtur atje për kaq shumë kohë.Ata u torturuan. Ata u sulmuan dhe abuzuan seksualisht.”- përfundon raportimin gazetarja/E.P/dritare.net