
Donald Trump: Unë e dua Evropën, jo Bashkimin Evropian
Dritare.net
Presidenti amerikan është treguar edhe një herë i ashpër tre ditët e fundit ndaj Bashkimit Evropian dhe “praktikave të pakuptueshme” të tij, siç tha ai, duke bërë të qartë se ka dashuri dhe respekt të madh për vendet e kontinentit, ama individualisht.
"Unë e dua Evropën, i dua vendet e Evropës, por procesi është i rëndë dhe ato po e trajtojnë SHBA-në shumë, shumë padrejtësisht me taksat që vendosin."
Donald Trump theksoi në Forumin Ekonomik që po mbahet në Davos, se për SHBA-në, bilanci tregtar me BE-në është plotësisht i çekuilibruar dhe nëse nuk ndryshon menjëherë, kjo do të rezultojë në vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Unionit.
Për Trump, industria e automobilave dhe prodhimet bujqësore ishin sërish pikë referimi. Trump i dërgoi një mesazh të ashpër Bashkimit Evropian për gjobat miliarda dollarëshe që institucionet kanë vendosur ndaj kompanive amerikane të teknologjisë si Meta (Facebook), Apple dhe Google, duke theksuar se “duan apo jo, ato janë kompani amerikane dhe ju duhet të mendojnë për to.".
"Ata e bëjnë shumë të vështirë sjelljen e produkteve në Evropë, e megjithatë presin të shesin dhe i shesin produktet e tyre në Shtetet e Bashkuara. Kështu që ne kemi, qindra miliarda dollarë deficite me BE-në, dhe askush nuk është i kënaqur me të dhe ne do të bëjmë diçka për të. Ata në thelb nuk i marrin produktet tona bujqësore dhe nuk i marrin makinat tona, megjithatë ata na dërgojnë makina me miliona. Ata vendosin tarifa për gjërat që duam të bëjmë... Kemi disa ankesa shumë të mëdha me BE-në”, vazhdoi ai.
Ai shtoi sot se: "Ata duan të jenë në gjendje të konkurrojnë më mirë, dhe ju nuk mund të konkurroni kur nuk mund ta kaloni procesin e miratimit më shpejt. Nuk ka asnjë arsye pse nuk mund të shkojë më shpejt, po përpiqem të jem konstruktiv, sepse e dua Evropën”.
Trump, megjithatë, sqaroi se ai nuk do të vendosë tarifa ose nuk do të pengojë eksportin e LNG-së amerikane në BE, e cila ka lidhur një marrëveshje dypalëshe bashkëpunimi ekskluziv për energjinë me SHBA-në nën Presidentin Biden pas sanksioneve kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë. Trump theksoi: "Marrëveshjet janë marrëveshje dhe do të respektohen plotësisht"./K.C/dritare.net

















